Botë

Musku shpreson që në të ardhmen të ketë tregti të lirë SHBA-BE

Elon Musk

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, të shtunën ka deklaruar se shpreson që në të ardhmen të shohë liri të tregtisë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ai ka folur pak ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump vendosi tarifa ndaj partnerëve tregtar.

Këshilltari dhe udhëheqësi i Departamentit për Efiçiencë të Qeverisë në administratën e presidentit amerikan, ka folur përmes një video-lidhjeje në një kongres të së djathtës ekstreme italiane, Partisë “Liga”, në Firencë të Italisë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Në fund të ditës, shpresoj të pajtohen që SHBA-ja dhe Evropa të lëvizin idealisht, sipas meje, drejt një situate me tarifa zero, duke krijuar efektivisht një zonë të tregtisë së lirë në mes Evropës dhe Amerikës Veriore”, ka deklaruar Musk.

Edhe Italia do të përballet me tarifa 20 për qind që Trumpi vendosi ndaj BE-së bashkë me tarifa të tjera ndaj vendeve të tjera të botës që kanë tarifa në produktet e SHBA-së.

I intervistuar nga lideri i partisë “Liga”, Matteo Salvini, Musk ka përsëritur mbështetjen për partitë e krahut të djathtë në Evropë. Po ashtu ai tha se shpreson të shohë liri më të theksuar të lëvizjes në mes Evropës dhe SHBA-së.

“Nëse njerëzit duan të punojnë në Evropë apo dëshirojnë të punojnë në Amerikën Veriore, ata duhet të lejohen ta bëjnë sipas meje”, ka deklaruar Musk, duke shtuar se kjo ka qenë ideja e tij për presidentin Trump.

Musk, i cili ka qenë në të kaluarën i afërt me kryeministren e krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni dhe partinë e saj Vëllezërit e Italisë, po ashtu ka shprehur mbështetje për “Ligën” e Salvinit.

Të dy grupet kanë një agjentë të djathtë të fortë të bazuar në rend dhe ligj, taksa të ulëta dhe ndjekje të imigrimit të paligjshëm.

Ministri i Ekonomisë së Italisë, Giancarlo Giorgetti, i cili është nga “Liga”, të shtunën ka deklaruar se qeveria dëshiron shtensionim me SHBA-në pas vendimit të Trumpit, dhe paralajmëroi kundër vendosjes së tarifave hakmarrëse.