Botë

Musk ka qenë në “kontakt të fshehtë” me Putinin që nga viti 2022

Musk & Putin

Miliarderi Elon Musk ka qenë në kontakt të rregullt me ​​presidentin rus Vladimir Putin që nga fundi i vitit 2022, sipas një raporti të “The Wall Street Journal”.

Sipas burimeve të gazetës amerikane, Musk dhe Putini zhvilluan biseda edhe këtë vit, në kohën kur bosi i teknologjisë rriti kritikat ndaj mbështetjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe u përfshi në mënyrë aktive në fushatën zgjedhore të kandidatit republikan dhe ish-presidentit Donald Trump.

Gjatë bisedave, siç raporton WSJ, Putini i kërkoi një herë Muskut që ta ndalonte aktivizimin e shërbimit satelitor të internetit Starlink mbi Tajvan, si një favor për presidentin kinez Xi Jinping.

Sipas raportit, në një kohë kritike të fushatës zgjedhore në SHBA, ndikimi i Muskut shtrihet shumë përtej politikës, nëpërmjet platformës sociale X dhe kompanisë teknologjike SpaceX, përmes së cilës ai ka kontrata të mëdha qeveritare dhe leje sigurie të nivelit të lartë për informacione të klasifikuara të SHBA-së.

Shërbimi i internetit satelitor, Starlink, është tjetër aspekt kyç i ndikimit të madh të Muskut në botë. Miliarderi i dha Ukrainës qasje falas në Starlink kur Putini nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022.

Veprimi u përshëndet pasi u vlerësua si mjet i rëndësishëm për aftësitë e Ukrainës për të luftuar forcat ruse, por marrëdhëniet midis Muskut dhe autoriteteve ukrainase u ftohën gjatë rrjedhës së luftës dhe shefi i Teslas ndaloi financimin për Ukrainën dhe madje kufizoi përdorimin e Starlinkut nga ushtria e saj për të kontrolluar dronët.

Në tetor të vitit 2022, Musku filloi të postonte një seri pikash të Kremlinit për luftën, të cilat i paraqiti si plan për paqen, por shkaktoi reagim të madh nga zyrtarët e lartë në Kiev, madje edhe nga vetë presidenti Volodymyr Zelensky.

Në fillim të vitit 2024, raportet e inteligjencës ushtarake ukrainase thanë se shërbimi satelitor i Muskut po përdorej nga ushtria ruse në frontin ukrainas.

Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, komunikimi i vetëm i Kremlinit me Muskun ishte një telefonatë në të cilën ai dhe Putini diskutuan “hapësirën, si dhe teknologjitë aktuale dhe të ardhshme”.

“Janë të gjitha të pavërteta. Informacione absolutisht të rreme”, shtoi Peskov të premten.

Besohet se administrata amerikane i ka mbajtur sekret njohuritë se Musku po komunikon me Kremlinin.

Musk ende nuk është përgjigjur.