Motrat afgane Fazila dhe Shagufa Haidary dikur udhëtuan nëpër botë si stjuardesa, duke u takuar me politikanë dhe yje të popit. Tani ato qëndrojnë së bashku në një apartament të vogël në periferi të Kievit, duke qenë aktive në TikTok sa për të kaluar kohë.
Pasi ikën nga talebanët dhe dekadat e luftës në Afganistanin e tyre të lindjes, motrat e shohin veten në rrezik për t'u gjendur në një konflikt tjetër në shtëpinë e tyre të adoptuar, në Ukrainë.
“Tani, ne jemi në mes të askundit. Sapo dolëm nga një traumë e vetme dhe mendoj se do të përballemi me një tjetër traumë”, thotë Shafuga.
Dyshja janë të ndarë mes dëshirës për të kaluarën, njerëzve të dashur që lanë pas dhe frikës së tyre për një të ardhme thellësisht të pasigurt.
Fazila, 26 vjeç, dhe Shagufa, 24 vjeç, janë motrat më të vogla në një familje të madhe. Rrënjët e tyre janë në Bamyan, në Afganistanin qendror.
Pavarësisht sprovave dhe mundimeve të jetës së përditshme në Afganistan, motrat e përshkruajnë jetën e tyre para verës së kaluar si "ditët e arta".
Ata u regjistruan në universitet dhe punët e tyre ditore si stjuardesa u mundësuan të udhëtonin gjerësisht. Në punë, Fazila thotë se u takua me të gjithë nga ish-presidenti afgan Hamid Karzai deri te ylli afgan i popit, Aryana Sayeed.

Kur talebanët morën Kabulin më 15 gusht të vitit 2021, ato ndjenë se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largoheshin.
“Nuk kishim zgjidhje tjetër”, kujton Shagufa. "Duhej të kapnim një fluturim dhe të iknim. Dhe kjo ishte e gjitha. Nëse do të kishim ndonjë mundësi tjetër, ne patjetër do të zgjidhnim një opsion tjetër në vend që të ishim refugjat ose të përfundonim këtu”, ka shtuar ajo.
Motrat synonin të shkonin në Islamabad në Pakistan, por arritën në aeroportin e Kabulit shumë vonë. Ato e gjetën veten të kapur në kaosin e mijëra njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga vendi.
"Ndjenja në atë kohë ishte e tmerrshme," ka thënë Shagufa, duke përshkruar turmat e mëdha të afganëve, të gjithë të dëshpëruar për të ikur. "Ne ishim të gjithë të tmerruar dhe të paditur, sepse nuk e dinim se ku po shkonim”, është shprehur ajo.
Motrat thonë se, së bashku me disa kolegë të punës, kanë shkuar drejt një avioni të parkuar në një pjesë të largët të asfaltit. Ato nuk e kishin idenë se ku po shkonte avioni deri disa minuta para nisjes.
"Ne ishim me shpresë. Është sikur, "Ah, më në fund! Ne ia dolëm", thotë Shagufa, duke psherëtirë dhe duke ulur kokën në ekzagjerim talljeje.
Por lehtësimi për t'i shpëtuar rrezikut shpejt ia la vendin realitetit të vështirë të jetës si azilkërkues në një vend të çuditshëm.
Fazila dhe Shagufa ishin në mesin e një grupi prej 370 afganësh që mbërritën në Ukrainë me fluturime evakuimi në gusht të vitit 2021, sipas Shërbimit Shtetëror të Migracionit të Ukrainës. Shifrat përfundimtare janë të vështira për t'u arritur, por aktivistët vlerësojnë se rreth 5,000 afganë jetojnë në Ukrainë.
Me të mbërritur në vend, një vend në të cilin nuk kishin qenë kurrë më parë, ato thonë se autoritetet i çuan në një strukturë strehimi për emigrantët rreth dy orë në veri të Kievit, afër kufirit me Bjellorusinë.
Dy javë më vonë, falë ndihmës së një miku që punon për një linjë ajrore ukrainase, ato arritën të zhvendoseshin në një apartament të mobiluar, në një bllok banimi modest në periferi të kryeqytetit, Kiev.
Por motrat thonë se tani dyshojnë nëse largimi nga Afganistani ishte vendimi i duhur.
"Nëse do ta dija që të jetoja jetën këtu, do të ishte kaq sfidë dhe kaq e vështirë, nuk do të zgjidhja të isha refugjat. Më besoni. Asnjëherë", thotë Shagufa.
Motrat Haidary kanë kërkuar azil në Ukrainë dhe presin një vendim brenda javësh.
Javët e fundit, e gjithë bota ka kthyer sytë nga Ukraina, duke pritur një pushtim të mundshëm të këtij shteti nga fqinji i saj, Rusia.
Rusia ka grumbulluar qindra mijëra trupa ushtarake në kufirin me Ukrainën, duke thënë se kjo është bërë për të kryer stërvitje ushtarake. Mirëpo SHBA-ja dhe Perëndimi thonë se Rusia synon pushtimin e Ukrainës dhe se kjo pritet të ndodhë brenda pak ditësh.