Një person ka vdekur pasi përfundoi në motorin e një avioni pasagjerësh KLM, në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.
Vdekja ndodhi teksa aeroplani KL1341 po bëhej gati për të fluturuar për në Billund të Danimarkës, të mërkurën pasdite, raporton BBC.
Linja ajrore ka thënë se po kujdesej për pasagjerët dhe punonjësit që ishin dëshmitarë të incidentit dhe se po hetonte rastin.
Policia ushtarake mbretërore e Holandës ka thënë gjithashtu se kishte filluar një hetim.
Forca Mbretërore e Holandës Marechaussee shtoi në një postim në X se të gjithë pasagjerët dhe punonjësit ishin larguar nga fluturimi.
I ndjeri ende nuk është identifikuar dhe është shumë herët të thuhet nëse ishte një “incident” apo një formë vetëvrasjeje, ka thënë një zëdhënës për Reuters.
Por media të ndryshme holandeze kanë raportuar se mund të jetë një punonjës i përfshirë në shtyrjen e një aeroplani përpara se të ngrihet.
Schiphol është një nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë. Ai u bë kryefjalë javën e kaluar pasi në të u arrestua reperja amerikane, Nicki Minaj.
Pothuajse 5.5 milionë pasagjerë përdorën aeroportin muajin e kaluar, sipas faqes së tij të internetit.