Më shumë se 30 persona kanë mbetur të vdekur pasi një digë hidroelektrike është shembur në Brazilin jugor disa ditë pas reshjeve të mëdha që kanë shkaktuar vërshime masive.
Autoritetet thonë se 60 të tjerë janë të zhdukur në shtetin Rio Grande do Sul, raporton BBC.
Rreth 15,000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga e shtuna. Ndërkaq, të paktën 500,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pastër në të gjithë Brazilin.
Diga e shembur shkaktoi një valë dy metra, duke nxitur panik dhe dëme të mëtejshme në zonat tashmë të përmbytura.
Diga është e lokalizuar ndërmjet bashkisë së Cotiporã dhe qytetit të Bento Gonçalves.
Moti ekstrem është shkaktuar nga një kombinim i rrallë i temperaturave më të nxehta se zakonisht, lagështisë së madhe dhe erërave të forta.
Presidenti brazilan, Luiz Inácio Lula da Silva e ka vizituar rajonin dhe ka premtuar ndihmë nga qeveria qendrore.
Në disa zona, vërshimet janë aq të mëdha se edhe helikopterët e kanë pasur të pamundur që të lëshohen për të ndihmuar njerëzit.
Në bashkinë e Candelária banorët janë detyruar të hipin në çati, për shkak të mbushjes së shtëpive me ujë.
Meteorologët kanë parashikuar më shumë reshje ditëve në vijim.
Vitin e kaluar, më shumë se 30 persona kanë vdekur në një ciklon në Rio Grande do Sul.