Botë

Moti ekstrem në Brazil, raportohet për tetë të vdekur

Shembja e nje druri ne Sao Paulo te Brazilit

Foto: Miguel SCHINCARIOL/AFP

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhive dhe shirave të dendur në Brazil, kanë njoftuar autoritetet të shtunën, raporton agjencia “AFP”. 

Stuhitë e shirat kanë përfshirë gjithë vendin, pas një periudhe të gjatë shterpësie ku pati edhe numër rekord të zjarreve. 

Pjesa qendrore dhe juglindore e Brazilit është goditur të premten nga stuhitë që arritën shpejtësi deri 100 kilometra në orë dhe pati shira të dendur, ka njoftuar Instituti i Meteorologjisë i Brazilit. 
Shtatë persona është raportuar se kanë vdekur në Sao Paulo të Brazilit, kryesisht nga goditja që kanë marrë nga drunjtë apo muret e shembura si pasojë e stuhive të fuqishme, kanë njoftuar autoritetet. 

Rreth 1.6 milionë shtëpi e biznese kanë mbetur pa energji elektrike në Sao Paulo, ka njoftuar kompania energjetike “Enel”. 

Në kryeqendër Brasilia, një ushtar ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar pas rënies së një druri. 

Në mediumet braziliane është raportuar se zyrtarët brenda Dhomës së Deputetëve, që është dhoma e ulët e Kongresit të Brazilit, është dashur të përdorin çadra brenda pasi ka rrjedhur uji nga çatia.