Një nga aleatët më të mëdhenj të Ukrainës, Polonia, ka njoftuar se nuk do ta furnizojë më me armë ushtrinë ukrainase, pasi mosmarrëveshja diplomatike për grurin vazhdon të rritet, shkruan BBC,
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se tani do të fokusohen në armatimin modern për vendin e tyre.
Vendimi vjen pasi tensionet midis dy shteteve janë rritur.
Të martën, Polonia thirri ambasadorin e Ukrainës lidhur me komentet e bëra nga presidenti Volodymyr Zelensky në OKB. Zelensky ka thënë se disa vende kishin shtirur solidaritet me Ukrainën, të cilën Varshava e denoncoi si “të pajustifikuar në lidhje me Poloninë, e cila e ka mbështetur Ukrainën që në ditët e para të luftës”.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, njoftoi vendimin për të mos furnizuar më Ukrainën me armë në një fjalim televiziv të mërkurën, pas një dite të përshkallëzimit të tensioneve midis dy vendeve për importet e grurit.
“Ne nuk po transferojmë më armë në Ukrainë, sepse tani po armatosim Poloninë me armë më moderne”, ka thënë Morawiecki.
Polonia është një nga vendet që ka vazhduar ndalimin për importin e grurit ukrainas, me arsyetimin se po dëmton fermerët vendas.