Qeveria ruse ka paralajmëruar kundër promovimit të "hipotezave" në lidhje me shkakun e rrëzimit të një aeroplani pasagjerësh me destinacion Rusinë, si pasojë e të cilit vdiqën 38 persona në Kazakistan të mërkurën.
Pamjet e avionit të rrëzuar tregojnë dëmtime të copëzave, dhe disa ekspertë të aviacionit sugjeruan se avioni i "Azerbajxhan Airlines" mund të ishte goditur nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi republikën ruse të Çeçenisë, raporton BBC.
Para se të rrëzohej pranë qytetit të Kazakistanit Aktau, avioni u devijua përtej Detit Kaspik, nga destinacioni i tij në Çeçeni në Kazakistanin perëndimor.
Njëzet e nëntë nga 67 personat në bord mbijetuan. Azerbajxhani mbajti një ditë zie kombëtare të enjten për viktimat e aksidentit.
Ndërkohë në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka paralajmëruar kundër hipotezave.
"Do të ishte gabim të parashtronim ndonjë hipotezë përpara përfundimit të hetimit. Ne, natyrisht, nuk do ta bëjmë këtë dhe askush nuk duhet ta bëjë këtë. Duhet të presim derisa të përfundojë hetimi”, ka deklaruar Peskov.
Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku mëngjesin e së mërkurës. Ai do të fluturonte për në Grozny në Çeçeni, por u devijua për shkak të mjegullës, sipas linjës ajrore.
Një pasagjer i mbijetuar i ka thënë televizionit rus se besonte se piloti kishte tentuar dy herë të ulej për shkak të mjegullës së dendur mbi Grozny përpara se "herën e tretë, diçka të shpërthente”.