Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich do të qëndrojë i burgosur nën akuzat për spiunazh, të paktën deri në fund të qershorit, pasi një gjykatë në Moskë hodhi poshtë të martën ankesën e tij që kërkonte t'i jepte fund paraburgimit të tij.
Shtetasi 32-vjeçar amerikan u arrestua në fund të marsit të vitit 2023 ndërsa ishte në një udhëtim raportimi dhe ka kaluar më shumë se një vit në burg, derisa autoritetet ruse vazhdimisht ia zgjatnin kohën pas hekurave dhe refuzonin apelimet e tij.
Muajin e kaluar, paraburgimi i tij vazhdoi përsëri deri më 30 qershor - një vendim të cilin ai dhe avokatët e tij e kundërshtuan më vonë. Një gjykatë apeli në Moskë e hodhi poshtë atë të martën, raporton AP.
Arrestimi i tij në qytetin e Yekaterinburg tronditi gazetarët në Rusi, pasi autoritetet nuk kanë detajuar se çfarë provash kanë për të mbështetur akuzat për spiunazh ndaj tij.
Gershkovich dhe punëdhënësi i tij i kanë mohuar akuzat dhe Qeveria amerikane e ka shpallur atë të ndaluar gabimisht.
Analistët kanë vënë në dukje se Moska mund të përdorë amerikanët e burgosur si mjete pazari në rritjen e tensioneve SHBA-Rusi mbi operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë. Të paktën dy shtetas amerikanë të arrestuar në Rusi vitet e fundit – përfshirë yllin e WNBA-së, Brittney Griner, janë shkëmbyer me rusë të burgosur në SHBA.
Në dhjetor, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka thënë se kishte bërë një ofertë të rëndësishme për të siguruar lirimin e Gershkovich dhe Paul Whelan, një tjetër amerikan i burgosur në Rusi për akuzat e spiunazhit, të cilën sipas tij Moska e kishte refuzuar.
Rusia thuhet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikov, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani në vitin 2021 për vrasjen në Berlin të Zelimkhan "Tornike" Khangoshvili, një qytetar gjeorgjian 40-vjeçar, shtetas me origjinë çeçene, i cili kishte luftuar me trupat ruse në Çeçeni dhe më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani.