Një modele nga Birmania, e cila denoncoi sundimtarët ushtarakë të vendit të saj vitin e kaluar nga skena e një konkursi bukurie në Tajlandë, tha të premten se ka frikë se mund të detyrohet të kthehet në shtëpi.
Thaw Nandar Aung, e njohur gjithashtu si Han Lay, i tha Associated Press me telefon se ajo ka mbetur e bllokuar në aeroportin Suvarnabhumi të Bangkok që kur iu mohua rihyrja në Tajlandë, kur mbërriti të mërkurën mbrëma nga një udhëtim i shkurtër në Vietnam.
Ajo ka jetuar në Tajlandë, por duhej të dilte dhe të hynte përsëri në këtë shtet për ta zgjatur qëndrimin e saj.
Ajo tha se po kërkonte ndihmën e agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara për të shmangur kthimin në Birmani, ku kishte frikë nga një ndëshkim i ashpër nga qeveria ushtarake që ajo e ka kritikuar.
Njerëzit të cilëve u ndalohet hyrja në Tajlandë zakonisht deportohen në pikën e tyre të fundit të nisjes, por agjencia e OKB-së e paralajmëroi atë se mund të arrestohej në Vietnam dhe më pas të riatdhesohej në Birmani.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Tajlandës, Tanee Sangrat, konfirmoi se Thaw Nandar Aung-ut iu mohua hyrja në Tajlandë "për shkak të një problemi me dokumentin e saj të udhëtimit".
“Autoritetet përkatëse nuk bënë një arrestim dhe nuk kanë plane ta dërgojnë atë diku në këtë fazë,” tha ajo.
Ushtria e Birmanisë mori pushtetin në shkurt të vitit 2021 nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi dhe ka goditur ashpër opozitën e përhapur ndaj sundimit të saj.
Ajo ka përdorur forcë vdekjeprurëse për të shtypur demonstratat dhe ka arrestuar kritikë, duke përfshirë aktorë dhe të famshëm të tjerë, sipas ligjeve të ndryshme me dënime të mundshme që variojnë nga tre vjet burgim deri në vdekje.