Rezervistët e mobilizuar u vizituan nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar, në një poligon qitjeje në juglindje të Moskës.
Dukej një pamje thuajse perfekte. Në video të postuar nga Kremlini shiheshin burra të rinj, që pritet të dërgohen në front në Ukrainë. Ata kishin veshur uniforma moderne, e po ashtu mbanin të gjitha pajisjet e nevojshme për luftim: helmeta, jelekë antiplumb dhe çanta të fjetjes.
Kur Putini pyeti nëse ka ndonjë problem, ata me kokë sinjalizuan se jo.
Kjo është dukshëm në kontrast me ankesat e shumta që janë paraqitur nëpër rrjete sociale e media të pavarura. Ankesat sillen nga mungesa e pajisjeve, deri te kushtet e rënda të jetesës dhe stërvitja e mangët e rekrutëve.
Që kur Putini njoftoi për mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve më 21 shtator, mediumet e pavarura, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe rekrutët janë ankuar për gjendje kaotike, e po ashtu mobilizim të bazuar etnikisht.
Shumë po shtyhen të shkojnë tepër shpejt në vijë të frontit, pavarësisht aftësive, stërvitjes dhe pajisjeve.
Në videot në rrjete sociale shihen burra duke fjetur në kushte të tmerrshme, duke u ankuar për mungesë ushqimi dhe të barnave. Disa madje janë ankuar edhe për armë të ndryshkura.
Në një video, një grup i rekrutëve, shihen në një fushë duke u ankuar se janë braktisur pa ushqim e strehë.
Në dekretin e nënshkruar nga Putini për mobilizim të pjesshëm, nuk ishin caktuar kriteret për rezervistët apo se cilët do të ftohen. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se do të prekë rreth 300 mijë rezervistë që kanë përvojë ushtarake.
Dhjetëra e mijëra burra janë larguar nga Rusia për në shtetet fqinje për t’i ikur mobilizimit.
Një javë pas dekretit, një i ri hapi zjarr ndaj një zyrtari të rekrutimit në qytetin Ust-Ilimsk në Siberi. Më 15 tetor, të shtënat me armë në një kamp stërvitor në qytetin jugor Belgorod shkaktoi vdekjen e 11 personave. 15 tjerë u plagosën.
Zjarri i ishte vënë disa zyrave të rekrutimit.
Është tashmë e qartë se në një shtet, ku gati gjithë burrat nën 65 vjet janë pjesë e rezervistëve, procesi i mobilizimit nuk ka shkuar si duhet. Ka pasur raportime se po ftohen ata që nuk kanë fare përvojë ushtarake. Policia ka rrethuar burrat nëpër rrugët në Moskë dhe qytetet tjera, dhe ka bastisur edhe hostele për të kapur klientët që janë në moshë për të luftuar.
Ky mobilizim i nxituar nuk do të arrijë asgjë pos “të ngadalësojë” avancimin e trupave ukrainase, ka thënë analisti ushtarak Pavel Luzin.
Aktivistët thonë se minoritetet etnike në disa rajone po rekrutohen në numra joproporcional.
Kanë qarkulluar video të protestave në rajonin me shumicë myslimane Dagestan, ku familjarët po ankohen se ajo zonë po ofron më tepër rekrutë se rajonet tjera.
Putini vet ka pranuar publikisht se ka pasur gabime në proces dhe ka kërkuar përmirësime.
Deri në mesin e tetorit, 222 mijë rezervistë janë rekrutuar, thotë Putin. Është e paqartë nëse është e mundur që të rekrutohen edhe 80 mijë tjerë për dy javë të mbetura.
Ndonëse më burrat rusë nuk po largohen me atë ritëm nga shteti, e protestat gatisa janë shuar, ka ende të tillë që po i rezistojnë angazhimit.
Mediat e pavarura dhe ato që anojnë nga opozita, kanë publikuar instruksione se si të evitohet në mënyrë të ligjshme ftesa për rekrutim. Grupet e të drejtave këshillojnë burrat që mos të nënshkruajnë e mos të paraqiten afër zyrave të rekrutimit.
Disa burra po kërkojnë shërbime civile alternative, një e drejtë që avokatët thonë se është e garantuar me Kushtetutë.
Kirill Berezin 27-vjeçar, i ishte përgjigjur ftesës që iu dorëzua nën derë të apartamentit të tij në St. Petersburg. Ai shkoi në zyrën e regjistrimit për të aplikuar për shërbim civil alternativ, por ai prapë ishte dërguar te një njësit ushtarak, siç ka thënë shoqja e tij Marina Tsyganova.
Berezin, që është dërguar që nga atëherë në fushën stërvitore në jug të Rusisë, ka dorëzuar dokumentin te komanduesit me të cilin tregon “se nuk mund të shërbejë me armë, nuk mund të vrasë njerëz dhe as të ndihmojë njerëzit të bëjnë këtë”, duke thënë se është kundërshtim me ndërgjegjen e tij.
Tsyganova i ka thënë agjencisë AP se e ka përfaqësuar atë në gjykatë në St. Petersburg, që javën e kaluar hodhi poshtë padinë e Berezinit.
Tsyganova ka paralajmëruar apel. Ajo shpreson që së paku Berezin të mos dërgohet në front në Ukrainë.