Botë

Mjekët palestinezë u gjuajtën edhe nga 12 metra distancë

Izraeli

Disa ekspertë ndërkombëtarë kanë arritur në përfundimin se në fillim të videos në të cilën trupat izraelite dëgjohen tek gjuajnë në drejtim të disa ekipeve emergjente palestineze, të shtënat kanë ardhur nga rreth 40 deri në 43 metra larg. Por në fund të videos gjuajtjet kanë ardhur nga 12 metra larg. E përderisa Izraeli pati thënë se ekipet emergjente s’kishin sinjalistikë të ndezur, pas publikimit të videove pati ndryshuar deklaratën

Trupat uzraelite kanë gjuajtur më shumë se 100 herë gjatë një sulmi ku kanë vrarë 15 punëtorë të urgjencës në Gazë, me disa gjuajtje që kanë ndodhur madje edhe nga 12 metra distancë, sipas një analizimi forenzik të audio regjistrimit nga video regjistrimi i një telefoni nga “BBC Verify”.

Dy ekspertë të zërit kanë ekzaminuar një video 19-minutëshe, që shfaq momentet e incidentit më 23 mars.

Gjetjet mbështetin pretendimin e bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe palestineze se punëtorët janë sulmuar nga një distancë e afërt. Më 5 prill, një zyrtar i ushtrisë izraelite ka deklaruar se imazhe ajrore shfaqnin trupa që sulmonin nga larg.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit(IDF) kanë refuzuar t’i komentojnë pretendimet.

Një zyrtar i IDF-së ka deklaruar se sulmi po hetohet dhe ka përsëritur pretendimet se gjashtë nga personat e vrarë kanë qenë të lidhur me Hamasin, pa ofruar prova. Gjysmëhëna e Kuqe palestineze ka mohuar pretendimet, njëjtë si një mjek i nëntë që i ka shpëtuar dhe është mbajtur nga IDF-ja për 15 orë.

GJKP ka deklaruar se videoja e plotë është marrë nga telefoni i njërit prej mjekëve të vrarë dhe i cili është varrosur në një varrë të cekët nga IDF-ja.

Videoja e filmuar nga mjeku Rifaat Radwan, i cili ishte vrarë në incident, ka shfaqur kolonën që lëvizin në errësirë me drita të emergjencës të aktivizuara. Të paktën një mjek mund të shihet i veshur me veshje reflektuese.

E përballur me dëshmitë e publikuara, ushtria izraelite ka ndryshuar deklaratën, duke pranuar se pretendimi fillestar se kolona është afruar “në mënyrë të dyshimtë” me dritat e saj të ndaluara ishte i pavërtetë.

Ekspertët kanë treguar se ata kanë përdorur forma të valëve zanore dhe ‘spectogramë’ për të matur distancën e gjuajtjes së armëve nga mikrofoni i telefonit. Sipas tyre, distanca në mes mikrofonit dhe të shtënave të zjarrit është zvogëluar me kalimin e kohës.

Ata arritën në përfundimin se në fillim të videos gjuajtjet kanë ardhur nga rreth 40 deri në 43 metra larg. Por në fund të videos, gjuajtjet kanë ardhur nga 12 metra larg.

Gjatë një prononcimi më 5 prill, një zyrtar i IDF-së ka deklaruar se pamjet ajrore të kërkim-zbulimit kanë shfaqur se ushtarët ishin në një distancë të konsiderueshme kur kanë sulmuar, duke shtuar “nuk është nga afër”. “Ata sulmuan nga larg”, ka thënë ai.

Një ekspert ushtarak ka deklaruar se çdo përballje nën 50 metra deri në 100 metra do të konsiderohej si përballje e afërt.

Robert Maher, ekspert i forenzikës së zërit në Universitetin Shtetëror të Montanas, ka deklaruar se në fillim të videos një armë ka gjuajtur rreth 43 metra larg telefonit.

Maher dhe një ekspert tjetër, Steven Beck, kanë pranuar në mënyrë të pavarur pretendimet e njëri-tjetrit se në momentet finale të filmimit, gjuajtjet kanë ardhur nga 12 metra larg.

Becku, ish-këshilltar i FBI-së që tani udhëheq “Beck Audio Forensics”, deklaroi se “gjuajtësit në këto kohë janë shumë më afër, me distanca nga 12 deri në 18 metra”.

Chris Cobb-Smith, ish-oficer i ushtrisë britanike me mbi 20 vjet eksperiencë në kryerjen e hetimeve në zona të konflikteve, tha se në 50 metra trupat izraelite “do të ishin në gjendje të identifikojnë kolonën si humanitare” dhe do të kishin qenë në gjendje “të shohin se personeli ishin të paarmatosur dhe nuk përbënin rrezik”.

Zërat mund të dëgjohen edhe në fund të filmimit, me britma në gjuhën hebraike “çohu” dhe “ju shkoni mbrapa”.

Në periudhën prej më shumë se pesë minutash, në disa raste, disa armë po përdoreshin në të njëjtën kohë, sipas ekspertëve të zërit.

“Është e qartë se shumë armë po përdoren në të njëjtën kohë”, ka deklaruar Maher.

Edhe pse shumë gjuajtje, Maher tha se është e vështirë për të identifikuar gjuajtjet individuale. Por të dy ekspertët në mënyrë të pavarur kanë determinuar se ka pasur më shumë se 100 goditje.