Botë

Mjeket në Pakistan s’po ndihen të sigurta

Doktoreshat ne Pakistan

Foto: BBC

Përdhunimi dhe vrasja e një mjekeje të re në moshë në Indi ka shtuar shqetësimet për fat të njëjtë te mjeket në Pakistan, për shkak se edhe ato vuajnë çdo ditë nga ngacmimet verbale dhe seksuale nga burra të ndryshëm në vendin e tyre të punës. Në shumë raste këta burra janë kolegë të tyre. BBC-ja ka intervistuar disa mjeke në spitalet pakistaneze, të cilat kanë rrëfyer mënyrat se si janë ngacmuar dhe kërcënuar

Gratë që punojnë në spitale në Pakistan thonë se përballen rregullisht me ngacmime seksuale, dhunë dhe abuzim verbal nga kolegët e tyre, nga pacientët dhe familjet e tyre.

Pas përdhunimit dhe vrasjes në vendin e punës të një mjekeje specializante 31-vjeçare, në një spital, dhjetëra mjeke në Pakistan i kanë thënë BBC-së se janë të shqetësuara për sigurinë e tyre.

Por kjo është një krizë që kryesisht mbahet e pazbuluar, pasi shumë prej tyre janë të frikësuara për t’i raportuar krimet – ndërsa atyre që e bëjnë, shpesh u thuhet se askush nuk do t'i besonte pretendimet e tyre.

Shumica e grave me të cilat ka folur BBC-ja kërkuan që emrat e tyre të fshiheshin, nga frika se mos humbnin vendin e punës, "nderin dhe respektin".

Disa muaj më parë një mjeke e re erdhi te dr. Nusrat (nuk është emri i saj i vërtetë) e përlotur. Ndërsa ajo ishte duke përdorur tualetin, një mjek e kishte filmuar atë përmes një vrime në mur dhe po e përdorte videon për ta shantazhuar.

“Unë i thashë të bënte një ankesë në FIA (Agjencia Federale e Hetimit, e cila merret me krimet kibernetike), por ajo refuzoi. Ajo tha se nuk donte që të zbulohej dhe ngjarja të arrinte te familja apo vjehrri i saj”, ka shpjeguar dr. Nusrat, duke shtuar se ajo di të paktën tri raste të tjera ku mjeket janë filmuar fshehurazi.

Dr. Nusrat rastisi të njihte dikë të lartë në polici, i cili foli me shantazhuesin, duke e paralajmëruar se mund të arrestohej për atë që kishte bërë. Oficeri i policisë u sigurua që videoja të fshihej.

“Fatkeqësisht, ne nuk mund të ndërmerrnim veprime të mëtejshme, por e mbuluam vrimën në mënyrë që askush të mos mund ta bënte të njëjtën gjë më”, thotë dr. Nusrat.

Gra të tjera kanë ndarë përvoja të ngacmimeve seksuale, duke përfshirë dr. Aamnan (nuk është emri i saj i vërtetë), e cila punonte në një spital shtetëror pesë vjet më parë, kur u vu në shënjestër nga një mjek më i lartë, një burrë i fuqishëm.

“Kur më shihte me ndonjë dosje në dorë, përpiqej të ulej mbi të, të bënte komente të papërshtatshme dhe të më prekte”, ka treguar dr. Aamna.

Ajo ka bërë një ankesë në administratën e spitalit, por thotë se është pritur me indiferencë. 

“Më thanë se isha aty vetëm për një kohë të shkurtër dhe më pyetën se çfarë provash kisha për këtë ngacmim. Ata thanë se 'ne nuk kemi qenë në gjendje ta rregullojmë këtë person, asgjë nuk do të ndryshojë dhe askush nuk do t'ju besojë'”, ka shpjeguar ajo.

Dr. Aamna ka deklaruar se ajo njeh gra të tjera që kanë arritur të regjistrojnë video të ngacmimeve, "por asgjë nuk ndodh - ngacmuesi thjesht transferohet në një repart tjetër për disa muaj, pastaj kthehet".

Ajo duhej të përfundonte punën në atë repart, për t'u kualifikuar si mjeke, por u zhvendos sa më shpejt që mundi.

Dëshmitë e mbledhura nga BBC-ja thonë se historia e saj është mjaft e zakonshme.

Rrënja e problemit qëndron në mungesën e besimit dhe llogaridhënies, sipas dr. Summaya Tariq Syed, kryekirurge e policisë në Karaçi dhe kryesuese e qendrës së parë të krizës së përdhunimeve në Pakistan.

Ajo i përshkruan 25 vjetët e shërbimit të saj si një betejë të vazhdueshme kundër dhunës dhe tradhtisë dhe thotë se ka qenë e zhgënjyer me mënyrën se si po trajtohen gjërat.

Ajo rrëfen sesi, disa vite më parë, kur ishte në një rol tjetër, ishte mbyllur me forcë në një dhomë nga kolegët që donin që ajo të ndryshonte atë që kishte shkruar në një raport të ekzaminimit pas vdekjes, për dikë që ishte vrarë.

“Ata thanë: ‘nënshkruaje ose nuk e ke idenë se çfarë do të bëjmë me ty’”. 

Por ajo tregon se kishte refuzuar. Nisur nga pozita e lartë e njërit prej personave të përfshirë, ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë, ka bërë të ditur ajo.

Një tjetër mjeke në një spital shtetëror në Punjab shpjegon se është e vështirë për gratë ta raportojnë abuzimin.

“Komisionet spitalore që ekzistojnë shpesh përfshijnë të njëjtët mjekë që na ngacmojnë ne, ose miqtë e tyre. Pra, pse dikush të bëjë një ankesë dhe do t'ia bënte vetes jetën edhe më të vështirë?”, ka shpjeguar ajo.

Nuk ka statistika zyrtare të disponueshme për sulmet ndaj punonjëseve shëndetësore në Pakistan.
Megjithatë, një raport në Institutin Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së në vitin 2022 paraqet një pamje shqetësuese. Ai tregon se deri në 95% e infermiereve në Pakistan janë përballur me dhunë në vendin e punës të paktën një herë në karrierën e tyre. Kjo përfshin sulmin dhe kërcënimet, si dhe abuzimin verbal dhe mendor nga kolegët, pacientët dhe vizitorët e spitalit.

Të dhënat përputhen me ato të raportit të “Pakistan Journal of Medicine and Dentistry”, i cili citon një studim të vitit 2016 të spitaleve të sektorit publik në Lahore që thotë se 27% e infermiereve kishin përjetuar dhunë seksuale. Ai citon gjithashtu një studim nga provinca veriperëndimore e Pakistanit,  Khyber Pakhtunkha, që tregoi se 69% e infermiereve dhe 52% e mjekeve atje kishin përjetuar një lloj ngacmimi seksual në vendin e punës nga stafi tjetër.

Dr. Syed tregon një sulm veçanërisht shqetësues që ndodhi në Karaçi në vitin 2010.

"Një mjek në një spital shtetëror joshi një infermiere duke e sjellë në dhomën e tij të hotelit. Por ai nuk ishte vetëm, dy mjekë të tjerë ishin gjithashtu atje. Infermierja u përdhunua dhe ishte aq e shqetësuar sa u hodh nga çatia dhe ishte në komë afro një javë. Asgjë që ndodhi nuk pati pasoja. Ajo vendosi të mos e ndiqte çështjen”, ka shpjeguar ajo.

Dr. Syed beson se shoqëria shpesh fajëson viktimat, dhe nëse infermierja do ta kishte raportuar rastin "faji do të kishte rënë mbi të".

Ngacmimet dhe kërcënimet vijnë nga pacientët, miqtë dhe familjet e tyre gjithashtu, thotë ajo, duke përshkruar se si ishte sulmuar ekipi i saj ndërsa po trajtonin kufomat në morg vitin e kaluar.

“Dy persona u desh ta ndalonin një person që u përpoq të më godiste, vetëm sepse i thashë të mos bënte video”, ka shpjeguar dr. Syed.

Ajo ka dërguar një ankesë në polici dhe tani po pret që çështja të përfundojë në gjykatë. 

"Ne duhet të vazhdojmë pjesën tonë të luftës - të qëndruarit të heshtur vetëm do të forcojë fajtorët”, është shprehur ajo.

Mjeke të tjera gjithashtu e përshkruajnë mungesën e sigurisë si problem, veçanërisht në spitalet shtetërore, ku ata thonë se çdokush mund të hyjë pa u kontrolluar. Të paktën tri mjeke kanë thënë se personat që i sulmuan ishin qytetarë të thjeshtë që kishin hyrë në spital në gjendje të dehur. Pirja e alkoolit është kryesisht e ndaluar në Pakistan.

Dr. Saadia (nuk është emri i vërtetë) shpjegon se disa nga koleget e saj në një spital të madh shtetëror në Karaçi janë ngacmuar vazhdimisht seksualisht. 

“Shpesh janë njerëz nën ndikimin e drogës që enden në spital”, ka thënë ajo.
“Një mbrëmje, një kolege ishte duke shkuar për në një repart tjetër kur një burrë i dehur filloi ta ngacmonte. Në një rast tjetër, një mjeke tjetër u sulmua. Disa mjekë të tjerë arritën ta shpëtonin nga sulmuesi, por nuk kishte rojë sigurie përreth”, ka shtuar ajo.

Infermierja Elizabeth Thomas (nuk është emri i vërtetë) thotë se incidentet ku pacientët e dehur përpiqen t'i ngacmojnë janë të zakonshme. 

“Ndihemi të tmerruara, të pasigurta, nëse duhet ta trajtojmë njeriun apo ta mbrojmë veten. Ndihemi krejtësisht të pafuqishme. Dhe nuk ka staf sigurie që të na ndihmojë”, ka thënë ajo.

Dr. Saadia ka deklaruar se ato madje nuk e dinë as "nëse personi që fshin dyshemenë ose bredh nëpër repart duke pretenduar se është staf është në të vërtetë personel".

Duke u kthyer prapa në kohën kur punonte në një spital shtetëror në Punjab pesë vjet më parë, dr. Aamna ka thënë se “në zona të largëta duhet të harrohet siguria. Sipas saj, atje spitalet nuk kanë as ndriçimin e duhur në korridore”.

Sipas Anketës Ekonomike të Pakistanit 2023, ekzistojnë 1284 spitale shtetërore në vend. Mjekët thonë se masat e sigurisë janë jashtëzakonisht të dobëta.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor thonë se shumicës ose u mungojnë kamerat CCTV ose kanë shumë pak, dhe ato që ekzistojnë shpesh nuk funksionojnë siç duhet. Ata thonë se mijëra pacientë dhe familjet e tyre i vizitojnë këto spitale çdo ditë dhe sulmet ndaj personelit mjekësor janë bërë të zakonshme.

Dr. Saadia tregon se si ajo dikur duhej të fshihej pasi një i afërm i një pacienti e sulmoi atë derisa po prisnin që të arrinin rezultatet e testit, përpara se të jepte një injeksion.

“Ai ishte një burrë i gjatë dhe filloi të më bërtiste. Unë u shtrëngova pas derës. Ai më kërcënoi duke më thënë: "Jepe injeksionin tani, ose do të të vras".

Shumë nga stafi infermieror i Pakistanit vijnë nga komunitetet e pakicave jomyslimane, gjë që mund t'i bëjë ata të prekshëm në mënyra të tjera, ka thënë Elizabeth Thomas.

“Unë njoh shumë infermiere që ngacmohen dhe nëse nuk binden, kërcënohen me akuza për blasfemi. Nëse një infermiere është tërheqëse, shpesh atyre u thuhet të ndërrojnë fenë e tyre. Ne gjithmonë pyesim veten se si të përgjigjemi, sepse nëse nuk bëjmë atë që ata duan, ata mund të na akuzojnë në mënyrë të rreme për blasfemi. Kjo ka ndodhur me infermieret”, ka thënë Thomas.

Përveç abuzimit, mjeket flasin edhe për ndërrime të gjata me mungesë të lehtësive bazë.

"Kemi kaluar nëpër periudha kur, gjatë një turni 30-orësh, nuk kishim dhomë për të pushuar. Ne dilnim jashtë dhe pushonim në veturën e një kolegu për rreth 15 minuta”, ka thënë Dr. Saadia. 
“Kur isha në repartin e urgjencës, nuk kishte tualet. Ne nuk mund të shkonim në tualet gjatë turneve 14-orëshe. Edhe kur kishim ciklin, nuk mund të përdornim tualet”, ka treguar ajo.

Ajo thotë se tualetet për personelin e spitalit ishin në blloqe të tjera, aq larg sa nuk kishin kohë t'i përdornin.

BBC-ja ka kërkuar përgjigje nga autoritetet e Shëndetësisë në katër provincat ku këto gra kanë punuar, si dhe koordinatorin kombëtar të shëndetit në Islamabad, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Që nga përdhunimi dhe vrasja e mjekes praktikante në Indi janë intensifikuar diskutimet mes mjekeve në Pakistan se si të garantojnë sigurinë e tyre.

Dr. Saadia ka thënë se kjo e ka prekur thellë dhe ajo ka ndryshuar rutinën e saj.

“Unë nuk shkoj më në vende të errëta apo ku nuk ka qarkullim. Dikur hipja shkallëve, por tani ndihem më e sigurt duke përdorur ashensorët”, është shprehur ajo.

Edhe Elizabeth Thomas thotë se rasti në Indi e ka tronditur edhe atë. 

“Unë kam një vajzë 7-vjeçare dhe ajo shpesh thotë se dëshiron të bëhet mjeke. Por unë vazhdoj të pyes veten, a është një mjek i sigurt në këtë vend?”, ka thënë ajo.