Përditësuar në 12:28 - Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka thënë të hënën se do të shkojë në Washington pasi të diskutojë në Pekin një plan paqeje kineze për Ukrainën.
Hungaria filloi presidencën e saj gjashtëmujore të BE-së në korrik me thirrjen "Bëni Evropën përsëri të Madhe", duke i bërë jehonë motos së fushatës së ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump, një aleat i Orbanit dhe kritik i ashpër i BE-së, raporton Reuters.
Që atëherë, Orbani ka vizituar Kievin, Moskën dhe Pekinin në atë që ai e quan një "mision paqeje" për luftën në Ukrainë.
Udhëtimi i tij më i fundit në Kinë erdhi disa ditë përpara një samiti të NATO-s që do të trajtojë ofrimin e mbështetjes së mëtejshme për Ukrainën dhe pas konfirmimit të Komisionit Evropian javën e kaluar se do të vendosë tarifa për importet e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë.
Nacionalisti Orban, i cili po mbështet përpjekjen e Trumpit për t'u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, e takoi atë në Florida në mars, por nuk ka ende asnjë tregues se ata do të takohen përsëri.
Qeveria hungareze nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të dërguara në lidhje me detajet e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i njoftoi në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Orban ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev dhe ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike me Moskën që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në vitin 2022. Ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin të premten e kaluar.
Orban në Kinë në "misionin e paqes" për Ukrainë
Kryeministri hungarez Viktor Orban është takuar me presidentin kinez Xi Jinping të hënën për të diskutuar për një marrëveshje potenciale paqeje për Ukrainën, vizitë e papritur në Pekin pas bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin, e cila ka zemëruar disa liderë të Bashkimit Evropian.
Orbani dhe Xi janë takuar në Shtëpinë Shtetërore Diaoyutai në Pekin, ka raportuar një media shtetërore kineze. Orbani e ka përshkruar vizitën si “mision paqeje”, të cilin e ka ndërmarrë pa mbështetjen e Komisionit Evropian ose Ukrainës, raporton Reuters.
Teksa Hungaria sapo e ka marrë presidencën e BE-së këtë muaj, Orbani veç se është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Kiev dhe është pritur nga Kremlini, udhëtim që ka marrë reagime nga aleatët e tij.
“Misioni i paqes 3.0”, ka shkruar Orbani në platformën X pas arritjes në Pekin, i njohur si kritik i ndihmës ushtarake të Perëndimit dhe lider evropian me lidhje të afërta me Putinin dhe Xinë.
Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka qenë duke promovuar një plan paqeje me gjashtë pika, duke propozuar një konferencë ndërkombëtare paqeje dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje të barabartë nga Ukraina dhe Rusia.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë kushte për rifillimin e dialogut dhe negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet dy palëve dhe të ofrojë ndihmë”, i ka thënë Xi Orbanit, sipas medias shtetërore kineze. “Është në interesin e të gjitha palëve për ta gjetur një zgjidhje politike përmes një armëpushimi”.
Orbani ka thënë se Kina është “fuqia kryesore për krijimin e kushteve për paqe në luftën Rusi-Ukrainë”, duke arsyetuar kështu arsyen e takimit të tij me Xinë, dy muaj pas vizitës së liderit kinez në Budapest.
Udhëtimi i Orbanit vjen disa ditë para samitit të NATO-s në Washington, i cili do ta adresojë ofrimin e mëtejshëm të mbështetjes për Ukrainën dhe në të cilën ai do të marrë pjesë.