Botë

Miratimi i rezolutës për Srebrenicën “kërcënon” Qeverinë e Malit të Zi, Serbia paralajmëron masa

Srebrenica

Akt civilizimi e veprim të rëndësishëm për ndërtimin e besimit dhe paqes në rajon e kanë vlerësuar të premten udhëheqësit në Bosnjë-Hercegovinë miratimin e rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës në Mal të Zi. Porse i të njëjtit mendim nuk është shprehur edhe kryesuesi i presidencës tripalëshe të vendit, Milorad Dodik, i cili rezolutën e quajti akt absolutisht jomiqësor.

Reagimet janë bërë pasi që Parlamenti i Malit të Zi e miratoi të enjten vonë Rezolutën që e dënon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer kur forcat serbe të Bosnjës i vranë më se 8 mijë burra dhe djelmosha myslimanë në vitin 1995.

Pos kësaj, Parlamenti malazez shkarkoi edhe ministrin pro-serb të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, në veprimin që mund ta kërcënojë stabilitetin në koalicionin e brishtë qeverisës në Podgoricë.

Kryeministri i vendit, Zdravko Krivokapiq, e kishte iniciuar procedurën për shkarkimin e Leposaviqit që në prill, pasi që ai e kishte mohuar gjenocidin në Srebrenicës, duke thënë se nuk ishte “konstatuar parevokueshëm” nga faktet.

Deklarata e tij kishte nxitur kritika të shumta si brenda Malit të Zi, ashtu edhe në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E miratuar me 55 vota për, 19 kundër dhe shtatë abstenime në seancën kaotike parlamentare, Rezoluta i dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që e mohojnë ose e vejnë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë. Ndërkaq 11 korrikun e shpall Ditë të Përkujtimit për viktimat.

Në reagim rreth vendimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka porositur popullatën serbe të Malit të Zi se Serbia është përkrah saj. Ka thënë nëpërmjet një videoadresimi se vendi do t’i analizojë të gjitha vendimet e Parlamentit të Malit të Zi, ashtu që të mos marrë vendime të ngutshme.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ka thënë se do të kërkojë që deputetëve të Malit të Zi, të cilët votuan pro rezolutës, të mos u lejohet hyrja në Serbi.

Rezoluta për gjenocidin është në linjë me zotimin e Malit të Zi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si pjesë e iniciativës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.