Botë

Ministri izraelit provokon, udhëheq qindra të tjerë në xhaminë al-Aqsa

ministri izraelit ne al-Aqsa

Një ministër izraelit i ekstremit të djathtë ka drejtuar qindra izraelitë hebrenj në vendin e shenjtë më të kontestuar të Jerusalemit, me shumë që sfidojnë ndalimin e qeverisë izraelite për lutjet hebraike atje.

Vizita nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, në kompleksin e xhamisë al-Aqsa është dënuar dhe është vlerësuar si provokuese nga liderët palestinezë, ashtu si edhe nga Kombet e Bashkuara dhe shtetet arabe.

Ben-Gvir ka thënë përmes një videoje se “politika jonë është të mundësojmë lutjen hebreje”.

Por, zyra e kryeministrit të Izraelit ka insistuar se nuk ka ndryshim në marrëveshjen e status quos që lejon vetëm besimtarët myslimanë aty.

Ky vend është vend i shenjtë për hebrenjtë sepse ka qenë zonë e dy tempujve të lashtë biblikë. Është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët sepse nga aty besohet se profeti Muhamet u ngjit në parajsë.

Videot të martën kanë treguar grupe hebrenjsh izraelitë duke kënduar himnin kombëtar, disa duke mbajtur flamuj të Izraelit e të tjerë që luteshin buzë vendit të shenjtë, raportoi BBC. 

Zyra e Benjamin Netanyahut ka thënë se ky incident “kishte devijuar nga status quo”.

“Politika e Izraelit në Malin e Tempullit nuk ka ndryshuar; kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, ka nënvizuar.

Në përgjigje, ministri Ben-Gvir ka shtuar se ai e ka politikën e tij për t’ua “mundësuar lirinë e adhurimit hebrenjve në të gjitha vendet”.

Ministria e Jashtme palestineze e ka parë me shqetësim të madh dhe e ka quajtur “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Lëvizja islamike jordaneze që administron zonën ka thënë se mbi 2,000 izraelitë kanë hyrë në kompleks, dhe u ka apeluar myslimanëve në botë të ndihmojnë për ta mbajtur status quon.

Egjipti dhe Arabia Saudite kanë thënë se kjo shkel të drejtën ndërkombëtare.

Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, e ka quajtur “të padobishëm dhe provokues” veprimin e ministrit.

“Jemi kundër çdo përpjekje për të ndryshuar status quon brenda zonës së shenjtë”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka thënë se “çdo veprim i njëanshëm si ky që rrezikon status quon është i papranueshëm”.