Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-abdollahian, ka thënë se Irani do të përgjigjet menjëherë dhe “në nivel maksimal” nëse Izraeli vepron kundër tij, raportoi Reuters.
“Nëse Izraeli dëshiron ta bëjë ndonjë aventurë tjetër dhe të veprojë kundër interesave të Iranit, përgjigja jonë e radhës do të jetë e menjëhershme dhe në nivel maksimal”, ka theksuar ministri iranian.
Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit të premten, sipas zyrtarëve amerikanë. Shpërthime janë raportuar mbi qytetet iraniane, Isfahan dhe Tabriz. Megjithatë, Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarët në Washington kanë thënë se forcat izraelite kanë kryer operacione ushtarake kundër Iranit, por nuk kanë dhënë detaje mbi shkallën e këtyre operacioneve.
Amir-abdollahian ka shtuar se Teherani po heton sulmin dhe se deri tash nuk është vërtetuar se ka lidhje me Izraelin. Ai ka theksuar se dronët u lëshuan nga brenda Iranit dhe fluturuan disa qindra metra para se të rrëzoheshin.
“Ata... janë më shumë si lodra që fëmijët tanë luajnë me to, jo dronë. Nuk na është dëshmuar se ka lidhje mes tyre dhe Izraelit”, ka thënë ai.