Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, raportohet se ka ateruar në Bejrut.
“Një aeroplan iranian është ulur në aeroportin ndërkombëtar Rafik Hariri, me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi në bord”, ka raportuar agjencia kombëtare e lajmeve e Libanit.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë iranian në Liban që nga vrasja e shefit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në Bejrut javën e kaluar.
Araghchi do të takohet me kryeministrin libanez, Najib Mikati, dhe kryeparlamentarin Nabih Berri, raporton Guardian.
Vrasja e Nasrallahut është marrë si goditje e madhe për Iranin, i cili e konsideron Hezbollahun një prej aleatëve më të ngushtë. Irani është mbështetur në Hezbollahun si parandalues i madh i sulmeve direkte në vend nga Izraeli.
Ministri iranian në Bejrut: Armëpushimi në Liban kushtëzohet me atë në Gaza
Ministri i Jashtëm i Iranit, i cili të premten ka shkuar në Bejrut, ka thënë se Teherani mbështet armëpushimin në vend për sa kohë që bëhet edhe armëpushimi në Gaza.
“Ne mbështesim përpjekjet për armëpushim me kushtin se do të jetë i pranueshëm për popullin libanez, i pranueshëm për rezistencën, dhe së treti, do të jetë në sinkron me një armëpushim në Gaza”, ka thënë Abbas Araghchi.
Araghchi ka thënë se prezenca e tij në Bejrut “në këto rrethana të vështira” dëshmon se Irani qëndron krah Libanit, raportoi SkyNews.
Ndërkohë, komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Ali Fadavi, ka paralajmëruar se do ta shënjestrojnë infrastrukturën energjetike dhe atë të gazit nëse izraelitët sulmojnë Iranin.