Botë

Ministri francez thotë se BE-ja s’duhet t’i hakmerret SHBA-së me tarifa

Eric Lombard

Eric Lombard

Ministri francez i Financave Eric Lombard ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet t’u përgjigjet në mënyrë reciproke tarifave të presidentit amerikan Donald Trump, pasi sipas tij kjo do të ndikonte tek konsumatorët e BE-së.  

“Ne po punojmë për kundërpërgjigje që mund të shkojnë përtej tarifave, në mënyrë që, edhe një herë, të sjellim SHBA-në në tryezën e negociatave dhe të arrijmë një marrëveshje të drejtë”, tha Lombard në një intervistë për transmetuesin BFM TV.

BE-ja po analizon mënyrën më të mirë për t’iu përgjigjur tarifave të Trumpit, duke përfshirë përdorimin e “Instrumentit Kundër Detyrimit” (Anti-Coercion Instrument), i cili i lejon bllokut të hakmerret kundër vendeve të treta që ushtrojnë presion ekonomik ndaj anëtarëve të BE-së për t’i ndryshuar politikat e tyre.

Trump u ka vendosur importeve të BE-së në SHBA një tarifë të përgjithshme prej 20%.

“Nëse ne si Shtetet e Bashkuara, zbatojmë tarifa për të gjitha importet amerikane, do të kemi një efekt negativ edhe në Evropë, që do të thotë se edhe ne do të përjetojmë inflacion”,  tha Lombard.

Presidenti francez, Emmanuel Macron të enjten sugjeroi se kompanitë evropiane duhet të pezullojnë investimet me Shtetet e Bashkuara derisa të “sqarohen gjërat” me Washingtonin.

Lombard tha se kompanitë janë të lira të vendosin nëse do t’i pezullojnë investimet në Shtetet e Bashkuara.