Botë

Ministrat e BE-së do të diskutojnë përgjigjen ndaj qëndrimit “të papranueshëm” të Hungarisë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Foto: Associated Press

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të hënën se ministrat e Jashtëm të BE-së do të vlerësojnë se si t'i përgjigjen udhëtimeve të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Rusi dhe Kinë, dhe pozicionimin e vendit të tij mbi rolin e BE-së në Ukrainë.

Hungaria mori presidencën e radhës gjashtëmujore të bllokut në korrik dhe Orbani menjëherë shkoi në Moskë dhe Pekin në atë që e përshkruajti si një "mision paqeje" pavarësisht se asnjë nga partnerët e tij në BE nuk ishte në dijeni ose nuk e kishte mandatuar atë për ta bërë këtë, raporton Reuters.

Ai gjithashtu ishte larguar herët nga samiti i NATO-s në fillim të këtij muaji për t'u takuar me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump. 

Ministri i Jashtëm i Orbanit që atëherë ka vënë në pikëpyetje rolin e BE-së në Ukrainë.

"Ne do të diskutojmë atë që ka ndodhur dhe qëndrimet e marra nga qeveria hungareze”, ka thënë Borrelli, duke i përshkruar ato si "të papranueshme".

Disa vende anëtare do të dëshironin që blloku të tregojë një qëndrim më të ashpër ndaj Budapestit.
Midis ideve do të ishte bojkotimi ose ulja e pjesëmarrjes së ministrave në një takim jozyrtar në Budapest në fund të gushtit, megjithëse ka ndarje midis vendeve për dobinë e tij.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u ka thënë gazetarëve pas mbërritjes në Bruksel të hënën për një takim të ministrave të Jashtëm, se Borrelli përfaqësonte politikën e jashtme të BE-së për ministrat dhe se "nuk ishte për t'u habitur që udhëtimet e egos" kishin acaruar shumë njerëz.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel ka thënë se ai do të shkonte në takimin jozyrtar në fund të gushtit duke thënë se ishte e rëndësishme të vazhdohet dialogu me Budapestin.

"Injorimi ose moszgjedhja e dialogut do të ishte një gabim”, është shprehur ai.

Orban, një kritik i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe që ka marrëdhëniet më të ngrohta të çdo lideri të BE-së me Putinin, gjithashtu ka anuluar vazhdimisht vendimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Duke folur në një postim në mediat sociale përpara takimit të hënën, ministri i jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto kritikoi bllokun.

"Për javë të tëra, burokracia e Brukselit dhe liderët e disa vendeve të BE-së kanë kërcitur dhëmbët mbi misionin tonë të paqes, nga zhgënjimi, zilia, ekspozimi i strategjisë së tyre të dështuar” ka thënë ai, duke shtuar se udhëtimet kishin hapur derën për diplomacinë e mëtejshme.

"Gjithçka që marrim nga Brukseli dhe miqtë tanë evropianë është një bojkot fëminor”, ka shtuar ai.