Disa grupe të fuqishme milicie në Irak, të mbështetura nga Irani, janë të përgatitura të çarmatosen për herë të parë për të shmangur kërcënimin e një konflikti të përshkallëzuar me administratën e SHBA-së Trump, i kanë thënë Reuters 10 komandantë të lartë dhe zyrtarë irakianë.
Lëvizja për të zbutur tensionet pason paralajmërimet e përsëritura të lëshuara privatisht nga zyrtarët amerikanë për qeverinë irakiane, qëkur Trumpi ka marrë pushtetin në janar, sipas burimeve që përfshijnë gjashtë komandantë të katër milicive kryesore.
Zyrtarët i thanë Bagdadit zyrtrar se nëse nuk vepron për të shpërndarë milicitë që veprojnë në tokën e tij, Amerika mund të synojë grupet me sulme ajrore, kanë shtuar burimet.
Izzat al-Shahbndar, një politikan i lartë mysliman shiit i afërt me aleancën qeverisëse të Irakut, i ka thënë Reutersit se diskutimet midis kryeministrit Mohammed Shia al-Sudani dhe disa liderëve të milicisë ishin "shumë të avancuara" dhe grupet ishin të gatshme të pajtoheshin me thirrjet e SHBA-së për çarmatim.
"Fraksionet nuk po veprojnë me kokëfortësi ose nuk po insistojnë të vazhdojnë në formën e tyre aktuale”, ka thënë ai, duke shtuar se grupet janë "plotësisht të vetëdijshme" se mund të shënjestrohen nga SHBA-ja.
Gjashtë komandantët e milicisë të intervistuar në Bagdad dhe një provincë jugore janë nga grupet Kataib Hezbollah, Nujabaa, Kataib Sayyed al-Shuhada dhe Ansarullah al-Awfiyaa.
“Trumpi është gati ta çojë luftën në nivele më të këqija, ne e dimë këtë dhe duam të shmangim një skenar kaq të keq”, ka thënë një komandant i Kataib Hezbollah, milicia më e fuqishme shiite.
Komandantët kanë thënë se aleati dhe mbrojtësi i tyre kryesor, forca ushtarake elitare e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), u kishte dhënë atyre bekimin e saj për të marrë çfarëdo vendimi që ata e konsideronin të nevojshme për të shmangur përfshirjen në një konflikt potencialisht shkatërrues me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.