Botë

Miliarderja vietnameze dënohet me vdekje për mashtrim bankar

Truong My Lan

Është gjyqi më spektakolar i mbajtur ndonjëherë në Vietnam, i një prej mashtrimeve bankare më të mëdha që bota ka parë ndonjëherë.

Një 67-vjeçare është e akuzuar për grabitjen e një prej bankave më të mëdha të Vietnamit gjatë një periudhe 11-vjeçare. Të enjten, ajo është dënuar me vdekje - një prej rasteve të rralla ku një grua merr dënim të tillë.

Shifrat e përfshira janë marramendëse. Truong My Lan është akuzuar për marrjen e 44 miliardë dollarëve në kredi nga Banka Tregtare Saigon. Prokurorët kanë thënë se 27 miliardë dollarë nuk do të mund të rikthehen kurrë.

Autoritetet kanë thënë se kanë thirrur 2700 persona për të dëshmuar. Janë të përfshirë 10 prokurorë të shtetit dhe rreth 200 avokatë.

Provat janë në 104 kuti që peshojnë gjithsej gjashtë tonë. 85 të pandehur janë në gjyq me Truong My Lan, e cila mohon akuzat. 

Truong My Lan filloi të shiste produkte kozmetike me nënën e saj, por më pas nisi blerjen e tokave. Në vitet 1990, ajo kishte në pronësi një numër të madh hotelesh dhe restorantesh. 

Në vitin 2011, ajo ishte një figurë e njohur biznesi. Ligji vietnamez ndalon individët të kenë mbi 5% aksione në banka. Por, prokurorët kanë thënë se përmes qindra kompanive mashtruese dhe njerëzve që vepronin në krah të saj, Truong My Lan mori në pronësi mbi 90% të Bankës Saigon. Kreditë e saj përbënin 93% të të gjithë huadhënies së bankës.