Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka bërë të ditur të mërkurën se ai planifikon të kërkojë një mandat të dytë pesëvjeçar në zgjedhjet presidenciale që priten më vonë këtë vit, disa muaj pas përpjekjes së tij të dështuar për t'u bërë kryeministër.
Milanoviq u ka thënë gazetarëve se ai pret mbështetje nga partia e tij opozitare e qendrës së majtë, Social Demokratike, për kandidaturën e tij. Ai ka thënë se është ndër politikanët më me përvojë në Kroaci, raporton AP.
57-vjeçari Milanoviq kishte shërbyer si kryeministër në të kaluarën, përpara se të kandidonte për president në zgjedhjet e vitit 2019.
Si një politikan i stilit populist, Milanoviq është përplasur shpesh me kryeministrin konservator të Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Milanoviqi krijoi një zhurmë përpara zgjedhjeve parlamentare në prill, kur tha se do të kandidonte për kryeministër nëse partia e tij opozitare SDP fitonte shumicën. Por oferta e Milanoviqit u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, e cila vendosi se ai nuk mund të kandidojë ndërsa është ende president.
Milanoviqi ka qenë një kritik i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe shpesh ka insistuar që Kroacia nuk duhet t’ia mbajë anën. Ai gjithashtu ka kundërshtuar hapur trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci.
Presidenca në Kroaci është kryesisht ceremoniale.
Nuk është caktuar ende një datë për zgjedhjet, por në masë të madhe pritet të mbahen në dhjetor.
Kroacia është shteti më i ri anëtar i BE-së, pasi u bashkua me bllokun në vitin 2013.