Mijëra sirianë janë mbledhur të premten në sheshin Umayyad, më i madhi në Damask, për të festuar pas lutjeve të së premtes - të parat që nga rënia e regjimit të presidentit Bashar al Assad.
Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi i kryengritjes që rrëzoi Assadin për 10 ditë, u shfaq me një videomesazh ku uroi “popullin e mrekullueshëm sirian për fitoren e revolucionit të bekuar”.
“I ftoj të dalin në sheshe për të treguar lumturinë e tyre pa gjuajtur me armë dhe pa i frikësuar njerëzit. Dhe pas kësaj, do të punojmë për ta ndërtuar këtë shtet dhe siç kam thënë në fillim, ne do të jemi fitimtarë me ndihmën e Zotit”, ka thënë ai.
Grupi i al-Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham, si dhe ata që e kanë mbështetur kanë punuar për të vendosur siguri dhe për të filluar një tranzicion politik, raportoi AP.
Lutjet e së premtes kanë një simbolikë të veçantë për shkak se në ditët e para të kryengritjes anti-qeveritare në Siri në vitin 2011, që më pas u kthye në luftë civile, protestuesit dilnin në masë pas shkuarjes në xhami.