Botë

Mijëra izraelitë përmes protestave kërkojnë marrëveshje për pengjet

izrael

(BBC) - Dhjetëra-mijëra izraelitë u mblodhën deri në orët e vona të natës duke bërë thirrje për një marrëveshje për sjelljen e pengjeve në shtëpi, përpara bisedimeve të mëtejshme për armëpushim.

Protestuesit në Tel Aviv brohoritën “lufta nuk është e shenjtë, jetë është”, me disa që akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu se synon të zgjasë konfliktin.

Kjo erdhi pasi një delegacion i Hamasit u takua me ndërmjetësit në Egjipt të shtunën.

Grupi tha se nuk kishte zhvillime të reja, por shtoi se “një raund i ri do të fillojë” të dielën.

Negociatorët kanë rifilluar negociatat e gjata në Kajro, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, për ndalimin e ofensivës së Izraelit në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve.

Problemi kryesor duket se është nëse marrëveshja do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

Mendohet se marrëveshja që po diskutohet përfshin një pauzë 40-ditore të luftimeve deri në lirimin e pengjeve dhe lirimin e një numri të burgosurish palestinezë që po mbahen në burgjet izraelite.  

Ismail Haniyeh, zyrtar i Hamasit, tha se grupi po e shikonte propozimin e fundit me “seriozitet të plotë”.

Por ai përsëriti kërkesën që çdo marrëveshje duhet të përfshijë në mënyrë eksplicite një tërheqje izraelite nga Gaza dhe përfundimin e plotë të luftës.

Një zyrtar anonim i qeverisë izraelite i tha mediave lokale të shtunën se Izraeli “në asnjë rrethanë nuk do të pranonte t’i jepte fund luftës si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e të rrëmbyerve izraelitë”.

Ai shtoi se “ushtria izraelite do të hyjë në Rafah dhe do të shkatërrojë batalionet e mbetura të Hamasit atje, pavarësisht nëse ka një pauzë të përkohshme për t’i liruar pengjet izraelite apo jo”.

Kryeministri izraelit është përballur me presion nga brenda koalicionit të tij të ekstremit të djathtë për të vazhduar më tej ofensivën e premtuar prej kohesh në qytetin jugor të Gazës, ku rreth 1.4 milionë njerëz janë strehuar pasi janë larguar nga vatrat e luftës në pjesët veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës.

SHBA-ja, aleati më i madh diplomatik dhe ushtarak i Izraelit, heziton të mbështesë një ofensive të re që mund të shkaktojë viktima të konsiderueshme civile dhe ka këmbëngulur të shoh fillimisht një plan për të mbrojtur palestinezët e zhvendosur.

Demonstratat e së shtunës në Izrael ishin shfaqja e fundit e presionit të shtuar të brendshëm me të cilin po përballet Netanyahu për të siguruar kthimin e pengjeve.

Nga 252 persona që u rrëmbyen nga Hamasi më 7 tetor, 128 janë ende të pagjetur  dhe mes tyre të paktën 34 supozohen që kanë vdekur.

Natalie Eldor, një protestuese në Tel Aviv, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte atje për të përkrahur një marrëveshje të menjëhershme.

“Ne duhet t’i kthejmë të gjitha pengjet, të gjallët e të vdekuri. Duhet t’i kthejmë ata. Duhet të ndërrojmë këtë qeveri”, ka thënë ajo.

Disa të tjerë që u mblodhën në Tel Aviv akuzuan kryeministrin për minimin e armëpushimit të propozuar, ndërsa të tjerët kërkuan përfundimin e luftës.

Duke folur për perspektivat e armëpushimit të shtunën, ministri Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, tha: “Një përgjigje zyrtare për skicën nuk është marrë ende. Kur të pranohet - kabineti i menaxhimit të luftës do të takohet dhe do ta diskutojë atë. Deri atëherë u sugjeroj ‘burimeve politike’ dhe të gjithë vendimmarrësve të presin përditësimet zyrtare, të veprojnë me qetësi dhe të mos hyjnë në histeri për arsye politike”.

Bisedimet për armëpushimin kanë vazhduar me muaj pa ndonjë përparim dhe nuk ka pasur një pauzë në luftime apo lirim të pengjeve që nga fundi i nëntorit.

Ka pasur momente në të cilat një marrëveshje e re është dukur sikur është afër për t’u arritur, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Një burim i njohur me këtë raund të fundit diskutimesh i tha BBC-së se negociatat ishin ende komplekse dhe çdo përparim mund të zgjasë ende disa ditë.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se Gaza veriore po përjeton “uri të plotë”.

Nga OKB-ja u paralajmëruar se situata katastrofike në territor po përhapet në jug.