Sipas rregullave të ICC-së, lojtarët dhe zyrtarët nuk mund të shfaqin asgjë në veshjet ose pajisjet e tyre pa miratimin e organit drejtues, me mesazhe “potencialisht përçarëse” ose të ndaluara politike
(BBC) - Sulmuesi australian i kriketit, Usman Khawaja, ka thënë se do të “luftojë” vendimin e autoriteteve të kriketit për ta ndaluar atë që të shfaqë mesazhe në fushë, në mbështetje të palestinezëve.
Sulmuesi kishte planifikuar të mbathte atletet me fjalët “të gjitha jetët janë të barabarta” dhe “liria është e drejtë njerëzore”, në një ndeshje me Pakistanin.
Këshilli Ndërkombëtar i Kriketit nuk e lejoi këtë pasi i konsideroi deklaratat “politike”, ka deklaruar Khawaja. Ai ka thënë në një video se mesazhi ishte “apel humanitar”.
“Unë do të respektoj pikëpamjen dhe vendimin e Këshillit Ndërkombëtar të Kriketit, por do ta luftoj atë dhe do të kërkoj të fitoj miratimin”, ka shtuar 36-vjeçari në videon emocionale të postuar në Instagram, të mërkurën.
Sipas rregullave të ICC-së, Khawaja mund të përjashtohet nga ndeshja nëse i mbath këpucët pa miratim.
Khawaja, i cili është mysliman, u pa duke i mbathur atletet në fillim të kësaj jave ndërsa stërvitej për lojën e ardhshme në Perth. Ai ka shprehur më parë në rrjetet sociale, mbështetje për civilët në Gazë.
“Askush nuk e zgjedh vendin ku lind... Unë e ndieja se jeta ime nuk ishte e barabartë me të tjerët kur isha duke u rritur. Por, për fatin tim, nuk kam jetuar kurrë në një botë ku mungesa e pabarazisë ishte jetë apo vdekje”, ka thënë ai në video.
Më herët Khawaja postoi një video të UNICEF-it nga Gaza në Instagram me përshkrimet: “A nuk u intereson njerëzve që vriten njerëz të pafajshëm? Apo është ngjyra e lëkurës së tyre ajo që i bën ata më pak të rëndësishëm? Apo feja që ata praktikojnë? Këto gjëra duhet të jenë të parëndësishme nëse vërtet besoni se ‘ne të gjithë jemi të barabartë’”.
Cricket Australia ka deklaruar të mërkurën se mbështet “të drejtën e lojtarëve tanë për të shprehur mendimet personale”, por se priste që ata të respektonin rregullat e ICC-së.
Ministrja e Sportit, Anika Wells, e ka mbështetur veprimin e Khawajas, duke thënë se ajo nuk besonte se atletet e tij bien ndesh me rregullat e ICC-së.
“Usman Khawaja është një atlet i madh dhe një australian i madh. Ai duhet të ketë çdo të drejtë që të flasë për çështje që janë të rëndësishme për të. Ai e ka bërë këtë në një mënyrë paqësore dhe me respekt”, ka thënë ajo.
Por ish-lojtarët australianë të kriketit, Rodney Hogg dhe Simon O’Donnell, kanë thënë se fusha nuk është vendi për deklarata politike.
“Unë i respektoj plotësisht bindjet e Usman Khawajas personalisht... por derisa ai përfaqëson Australinë, ai nuk ka të drejtë, zero, zero, të sjellë bindjet e tij personale dhe t’ua rrënjos ato të tjerëve”, ka thënë O’Donnell për radion lokale “SEN”.
Sipas rregullave të ICC-së, lojtarët dhe zyrtarët nuk mund të shfaqin asgjë në veshjet ose pajisjet e tyre pa miratimin e organit drejtues, me mesazhe “potencialisht përçarëse” ose të ndaluara politike.
Rregulloret gjithashtu fuqizojnë gjyqtarët që të ndalojnë lojtarët të dalin në fushë nëse ata mbajnë ndonjë send “jo të duhur”.
Në vitin 2014, sulmuesi i Anglisë, Moeen Ali, u paralajmërua në mënyrë të ngjashme që të mos mbante shirita dore që tregonin mbështetje për Gazën gjatë një ndeshjeje me Indinë.
Përktheu: Forca Jashari