Botë

Merz premton të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme” për mbrojtjen

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Friedrich Merz, i cili pritet të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ka njoftuar një marrëveshje politike prej qindra miliarda eurosh shpenzime shtesë për mbrojtjen dhe infrastrukturën.

“Duke pasur parasysh kërcënimet ndaj lirisë dhe paqes sonë në kontinentin tonë, rregulli për mbrojtjen tonë tani duhet të jetë ‘çfarëdo që të jetë e nevojshme’”, ka deklaruar Merz. 

Merz, konservatorët e të cilit kanë fituar zgjedhjet e Gjermanisë muajin e kaluar, ka thënë se ai dhe partnerët e tij të mundshëm të koalicionit nga qendra e majtë do të paraqesin propozime të reja në parlament javën e ardhshme, raporton BBC.

Ai ka folur për nevojën urgjente për shpenzimet gjermane në dritën e "vendimeve të fundit nga qeveria amerikane".

Merz ka thënë se ai do të bënte "çfarëdo që duhej" për të mbrojtur lirinë dhe paqen, një referencë për zotimin e Mario Draghit për të shpëtuar euron në vitin 2012, kur ai ishte president i Bankës Qendrore Evropiane.

Në qendër të propozimeve të tij është një fond i posaçëm prej 500 miliardë eurosh për të riparuar infrastrukturën e Gjermanisë, si dhe për lehtësimin e rregullave të rrepta buxhetore për të lejuar investimet në mbrojtje.

Edhe pse Gjermania ka ofruar më shumë ndihmë për Ukrainën se çdo vend tjetër evropian, ushtria e saj është jashtëzakonisht e pafinancuar.

Gjermanisë do t'i duhet të gjejë 30 miliardë euro shtesë në vit vetëm për të përmbushur objektivin aktual të NATO-s prej 2% të PBB-së për mbrojtjen dhe ekspertët e sigurisë besojnë se do t'i duhet ta rrisë objektivin e saj më afër 3%.