Kancelari në ardhje, Friedrich Merz, ka siguruar mbështetjen kyçe të Të Gjelbërve për rritje masive në borxhin e shtetit për mbrojtje dhe infrastrukturë, duke i hapur rrugë miratimit në parlament të marrëveshjes historike. Ai ka thënë se ky plan “e pavarëson” Gjermaninë nga Washingtoni
Lideri i konservatorëve në Gjermani, Friedrich Merz, ka siguruar mbështetje për pako masive financiare për të ringjallur mbrojtjen dhe infrastrukturën, para votimit kyç në parlament të martën e ardhshme, nga Bundestagu në largim.
Lideri, që pritet të bëhet kancelar, ka deklaruar se e ka siguruar mbështetjen e partisë së Gjelbër për planin radikal. Bisedimet maratonike i kanë hapur rrugën miratimit të Qeverisë në Parlament.
“Gjermania është kthyer”, ka deklaruar Merzi në Berlin të premten. “Gjermania është duke e bërë kontributin e saj të madh në mbrojtjen e lirisë dhe paqes në Evropë”.
Merz pas fitores muajin e shkuar u shpreh se e ka prioritet forcimin e Evropës, pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump.
Blloku konservator CDU/CSU dhe Socialdemokratët, me të cilët po zhvilloheshin bisedimet për të formuar qeverinë e re, kanë shtyrë përpara propozimin për të relaksuar çështjen e borxhit publik. Me propozimin e ri shtetit i lejohet të rrisë borxhin për shpenzimet për mbrojtje dhe një “fond special” prej 500 miliardë eurosh dedikuar reformave infrastrukturore.
Merzi dëshiron të mbyllë marrëveshjen e financimit para se Parlamenti i ri të mblidhet në më pak se dy javë. Përkrahja e partisë së Gjelbër do t’i jepte aktualisht Merzit shumicën e nevojshme prej dy të tretave për ndryshime kushtetuese.
Sipas Merzit, plani për mbrojtjen është i domosdoshëm në mënyrë që Gjermania të jetë e pavarur nga Washingtoni sa i përket sigurisë së saj dhe të Evropës. Propozimi parashikon që shpenzimet në mbrojtje të përjashtohen nga kushti, i cili ndal borxhin kur ai kalon 1 për qind të bruto produktit vendor (GDP).
Frenimi i borxhit ishte vendosur në vitin 2009 pas krizës globale financiare, me qëllim që të limitohej kapaciteti gjerman i huamarrjes që të mbroheshin gjeneratat e ardhshme nga barra e borxheve të mëdha. Por viteve të fundit, veçanërisht pas krizave, siç ishin pandemia dhe lufta në Ukrainë, frenimi është parë si pengesë për rritjen ekonomike.
Në një debat gjatë leximit të parë të legjislacionit të enjten në Parlament, Merzi ka përmendur urgjencën e investimit në siguri. “Gjermania duhet të bëjë diçka tani... çdo gjë tjetër do të ishte e papërgjegjshme”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë lëshime ndaj të Gjelbërve, duke thënë se ai do të dedikonte “deri në 50 miliardë euro” nga fondi special për mbrojtje klimatike, si dhe ka ofruar të rrisë shtrirjen e shpenzimeve për mbrojtje për të përfshirë mbrojtjen civile dhe inteligjencën.
Të Gjelbërit, pjesë e qeverisë aktuale, por që po shkon në opozitë, kanë qenë të revoltuar me kritikat e vazhdueshme të konservatorëve, që në të kaluarën i fajësonin politikat klimatike.
Pas raportimeve se marrëveshja e shumëpritur u arrit, tregjet reaguan pozitivisht duke ndikuar edhe në forcim të euros. Analistët thanë se kjo ka çuar sinjal se Gjermania është e aftë për të vendosur dhe të rrisë angazhimin e saj për mbrojtje në një kohë të pasigurisë globale.
Lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, një nga të parët që ka reaguar për lajmin, e ka quajtur pakon “rritje të fuqishme për Gjermaninë”. Ai ka thënë se ajo e ka vënë bazën për ngritjen e Gjermanisë në këmbë dhe që ta mbrojë veten.
Merzi e quajti pakon “mesazh të qartë për partnerët... por edhe për armiqtë e lirisë”.
Ekonomia më e madhe e Evropës ka pësuar dy vjet me radhë rënie ekonomike. Ekonomistët thonë se planet e financimit mund të ndihmojë ta largojnë atë nga stagnimi ekonomik.
Dhoma e ulët e Parlamentit në largim të martën në mëngjes do të votojë dëgjimin e dytë dhe të tretë të legjislacionit. Pas asaj, do të shkojë në Dhomën e lartë të Parlamentit, në Bundesrat, ku kërkohen dy e treta e shumicës.
Parlamenti i ri gjerman do të mblidhet më 25 mars.