Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka bërë thirrje të hënën për veprime të shpejta për të ruajtur konkurrencën e Gjermanisë, në përgjigje të rënies së tregjeve të aksioneve dhe obligacioneve, pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa gjithëpërfshirëse.
Indekset kryesore të aksioneve kanë rënë të hënën, teksa presidenti Trump nuk ka treguar asnjë shenjë për t’u tërhequr nga planet e tij tarifore.
"Situata në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe obligacioneve është dramatike dhe kërcënon të përkeqësohet më tej. Prandaj është më urgjente se kurrë që Gjermania të rivendosë konkurrencën e saj ndërkombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Merz në një deklaratë me email për Reuters.
"Kjo çështje duhet të jetë tani në qendër të negociatave të koalicionit”, ka thënë ai duke folur për bisedimet e bllokut të tij konservator për të formuar një qeveri me Social Demokratët, duke përsëritur thirrjet e partisë së tij për ulje taksash, ulje të burokracisë dhe ulje të çmimeve të energjisë.
Së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, Gjermania përballet me 25% tarifa importi për çelikun, aluminin dhe veturat, dhe tarifa "reciproke" prej 20% nga e mërkura për pothuajse të gjitha mallrat e tjera.
Tarifat vetëm sa shtojnë problemet ekonomike të Gjermanisë, teksa qeveria e ardhshme do të përpiqet të nxjerrë ekonominë më të madhe të Evropës nga një recesion dyvjeçar.
Merz edhe më parë ka deklaruar se Evropa duhet të zvogëlojë varësinë e saj nga Uashingtoni kur bëhet fjalë për mbrojtjen.
Komisioni Evropian po kërkon të koordinojë një përgjigje të përbashkët ndaj tarifave në emër të vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë.