Botë

Merkeli mbron lidhjet me Rusinë dhe bllokimin e Ukrainës në NATO

Angela Merkel dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ajo ishte në krye të shtetit gjatë krizës financiare, krizës së emigrantëve të vitit 2015, dhe në mënyrë të konsiderueshme, në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë. Në një intervistë të rrallë që kur u largua nga politika tre vjet më parë, Merkel mbron veprimet e saj për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe për ta bllokuar Ukrainën që të hynte në NATO

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se marrëveshjet e gazit që ajo bëri me Rusinë kishin për qëllim të ndihmonin firmat gjermane dhe të ruanin paqen me Moskën.

Merkel ka këmbëngulur se lufta me Ukrainën do të kishte filluar më herët nëse ajo nuk do të kishte bllokuar hyrjen e Kievit në NATO në vitin 2008.

Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ajo ishte në krye të shtetit gjatë krizës financiare, krizës së emigrantëve të vitit 2015 dhe, në mënyrë të konsiderueshme, në kohën kur Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014.

A ishte ajo shumë e butë me Moskën? Shumë e ngadalshme për ta ndihmuar Kievin? Nëse ajo nuk do ta kishte bllokuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në vitin 2008, a do të kishte një luftë atje tani?
Të hënën, ministrat e Mbrojtjes nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Polonia dhe Italia janë mbledhur për të diskutuar përkeqësimin e situatës në vijat e frontit të Ukrainës.

Por duke folur për BBC-në në Berlin, Merkel qëndron fort në mbrojtjen e kohës së saj në detyrë.
Ajo thotë se beson se lufta në Ukrainë do të kishte filluar më shpejt dhe ka të ngjarë të ishte më e keqe, nëse Kievi do të kishte nisur rrugën drejt anëtarësimit në NATO në vitin 2008.

"Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte plotësisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të kishte qëndruar duarkryq dhe të shihte Ukrainën të bashkohej me NATO-n”, shprehet ajo.

Dhe në atë kohë, Ukraina si vend, me siguri nuk do të ishte aq e përgatitur sa ishte në shkurt të vitit 2022, sipas saj.

Mirëpo presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është dakord me këtë.
Ai e përshkruan vendimin e Merkelit në NATO, të mbështetur nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, si një "llogaritje të gabuar" që qartazi e trimëroi Rusinë.

Angela Merkel me Donald Trumpin

Frika nga armët bërthamore

Në një intervistë të rrallë që kur u largua nga politika tre vjet më parë, Merkel shpreh shqetësimin për kërcënimet e ripërtëritura të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore.

Dy liderët u njohën mirë me njëri-tjetrin gjatë dy dekadave.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore”, thotë ish-kancelarja gjermane.

“Fatmirësisht, edhe Kina foli për këtë pak kohë më parë. Ne nuk duhet të paralizohemi nga frika, por duhet të pranojmë gjithashtu se Rusia është më e madhja, ose së bashku me SHBA-në, një nga dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë. Potenciali është i frikshëm”, shprehet ajo. 

Pavarësisht se gëzonte vlerësime të larta të popullaritetit gjatë pjesës më të madhe të kohës së saj në detyrë, Merkel tani e gjen veten në qetësi.

Ajo sapo ka publikuar librin e saj me kujtime, “Liria”. Dhe koha është interesante.

Ajo thotë se bëri gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar mjete paqësore të bashkëpunimit me Rusinë.
Në fakt, Putini filloi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës vetëm disa muaj pasi ajo u largua nga detyra.

Kjo nxiti një rishqyrtim të plotë në Evropë të politikave energjetike, diplomacisë me Rusinë dhe gjithashtu politikave të migracionit që ishin bërë normë në kohën e Merkelit.

Angela Merkel shihej si një nga liderët e paktë perëndimorë që mund të ishte në gjendje të ndikonte në Vladimir Putinin e Rusisë.

Në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës, ajo ishte, siç thotë ish-kryeministri italian Matteo Renzi, liderja de fakto e Evropës, apo me një shprehje tjetër, "bosja e Bashkimit Evropian".

“A ju kujtohet kur (ish-sekretari amerikan i Shtetit) Henry Kissinger thoshte “cili është numri i telefonit të Evropës?”, thotë Renzi. 

“Përgjigjja ime ishte: qartë, numri i celularit të Angela Merkelit”, shton ai. 

Ai shton se kur gjykohet trashëgimia e Merkelit, mbi Rusinë dhe ndryshe, është e rëndësishme të mbahen mend normat e kohës.

“Nuk mund të sulmohet Angela për marrëdhëniet me Rusinë”, thotë ai.

“Në vitet 2005, 2006 (ata) ishin një objektiv i të gjithëve në Evropë, jo vetëm një objektiv i Angela Merkelit”, shton Renzi.

Frenimi i Rusisë me diplomaci

Nën udhëheqjen e Merkelit, Gjermania dhe industria e saj e madhe e uritur për energji u bënë të varura nga Moska. Gjermania ndërtoi dy tubacione gazi të lidhura drejtpërdrejt me Rusinë.

Presidenti Zelensky e përshkroi gazin e lirë si një mjet gjeopolitik të Kremlinit.

Merkel i thotë BBC-së se ajo kishte dy motive me tubacionet: interesat e biznesit gjerman, por edhe ruajtjen e lidhjeve paqësore me Rusinë.

Anëtarët e BE-së dhe të NATO-s në Evropën Lindore nuk u pajtuan me të.

Deputeti polak, Radoslaw Fogiel, ka deklaruar se paratë gjermane për gazin rus mbushën rezervuarin e luftës së Rusisë, të cilat tashmë po përdoren për ta financuar pushtimin e Ukrainës.

Mirëpo Merkel këmbëngul se u përpoq të frenonte sulmet ruse ndaj Ukrainës duke përdorur diplomaci dhe negociata, të cilat, ajo e pranon se përfundimisht dështuan.

Dhe industria gjermane është goditur në mënyrë disproporcionale nga sanksionet ndaj energjisë ruse. I detyruar të kërkojë furnizues të tjerë, vendi tani po blen LNG (gaz natyror i lëngshëm) të shtrenjtë. Bizneset thonë se janë ndikuar keq nga kostot.

Një epokë e re në marrëdhëniet e Evropës me Rusinë filloi "për keqardhje" pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, thotë Merkel.

70-vjeçarja tani e gjen veten duke iu dashur që ta mbrojë trashëgiminë e saj edhe në fusha të tjera.
Kriza e migracionit e vitit 2015, kur ajo hapi dyert e Gjermanisë për mbi një milion azilkërkues, ishte ndoshta momenti përcaktues i kohës së saj në detyrë.

Volodymyr Zelensky, Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Vladimir Putin në Paris në vitin 2019/Foto: AP

Nga disa urrehej, nga disa të tjerë u përshëndet.

Presidenti amerikan atëkohë, Barack Obama, e vlerësoi atë si një udhëheqëse të guximshme dhe morale.

Por kritikët e fajësuan atë se i dha jetë partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Tani ajo po zë vendin e dytë në sondazhet e opinionit publik gjerman, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme që mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Thirrja kryesore e tubimit politik të AfD-së është një mesazh i fortë anti-migrant.

Angela Merkel pranon se AfD-ja ka shënuar fitore të mëdha, por ajo nuk kërkon falje për vendimet e saj politike.

Sa u përket sugjerimeve se politikat e saj të vitit 2015 ndihmuan në rritjen e partive që janë kundër imigracionit dhe të së djathtës ekstreme edhe gjetkë, duke përfshirë Holandën, Poloninë dhe Francën, pasi u përpoq të vendoste kuota emigrantësh nëpër vendet e BE-së, Merkel thotë se ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse për të gjithë Evropën.

E vetmja mënyrë për të luftuar të djathtën ekstreme është ndalimi i migracionit të paligjshëm, thotë ajo.

Ajo u bën thirrje liderëve të Evropës që të investojnë më shumë në vendet afrikane për të përmirësuar standardet e jetesës atje, kështu që më pak njerëz do të tundohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Por me ekonomitë e ngadalta të Evropës dhe me votuesit të shqetësuar për koston e jetesës, qeveritë thonë se shumë pak para mund të kursehen.

Gjermania e Angela Merkelit mirëpriti mbi një milion refugjatë në vitin 2015, në kulmin e luftës në Siri
Angela Merkel dukej se i vendosi vendin e saj dhe interesat e saj ekonomike në vend të parë kur bëhej fjalë për blerjen e energjisë ruse ose gjatë krizës së eurozonës, kur vendet jugore të BE-së e fajësuan atë për shtrëngimin e tyre me masa të forta për të shpëtuar bankat dhe bizneset gjermane.

“E sëmura e Evropës”

Por edhe në shtëpi, në Gjermani, ajo tani akuzohet për “menaxhim” të thjeshtë të krizave të njëpasnjëshme dhe dështimin për të bërë reforma të gjera, ndoshta edhe të dhimbshme, për të mbrojtur vendin e saj dhe BE-në.

Gjermania tani etiketohet nga disa si “e sëmura e Evropës”.

Dikur një fuqi e eksportit në skenën botërore, ekonomia e saj qëndron pak mbi recesionin.

Votuesit ankohen se ajo nuk arriti të investojë në rrugë, hekurudha dhe në digjitalizim, në favor të mbajtjes së një buxheti të balancuar.

Nën Angela Merkelin, Gjermania jo vetëm që u bë e varur nga Rusia për energjinë, por edhe nga Kina dhe SHBA-ja për tregtinë. Këto vendime nuk i kanë qëndruar provës së kohës.

Donald Trump kërcënon se do të rrisë tarifat për importet kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Merkel ka disa mendime për liderët nervozë të Evropës, të cilët do të përballen me administratën “Trump 2.0”.

Mandati i tij i parë në detyrë u shënua nga zemërimi ndaj Evropës, veçanërisht Gjermanisë, për shpenzimet e ulëta të mbrojtjes dhe deficitet tregtare. Këto grindje me Evropën nuk kanë ndryshuar.

Cilat janë këshillat e Merkelit për trajtimin e tij?

“Është vërtet e rëndësishme të dini se cilat janë prioritetet tuaja, t'i paraqisni ato qartë dhe të mos keni frikë, sepse Donald Trump mund të jetë shumë i hapur”, thotë ajo.

“Ai shprehet shumë qartë. Dhe nëse e bëni këtë, ka njëfarë respekti të ndërsjellë. Gjithsesi, kjo ishte përvoja ime”, shton ajo.

Por liderët e Evropës që përballen me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë janë të frikësuar, ndoshta më shumë se në kohën e Angela Merkelit.

Ekonomitë janë të ngadalësuara, votuesit të pakënaqur, politika tradicionale nën presionin e ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë.

Kina dhe Rusia janë më pozitive, ndërkaq Perëndimi më i dobët në skenën botërore.

Luftërat vazhdojnë në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, teksa Donald Trump duket më pak i interesuar për të forcuar sigurinë evropiane.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Angela Merkel thotë se këto ditë, kur liderët botërorë që ajo njeh mirë e thërrasin për këshilla, ajo përgjigjet me kënaqësi.

Por kur pyetet nëse i mungojnë gjithë ai pushtet dhe politika, përgjigjja e saj e shpejtë është: “Jo, aspak”.