Botë

Meloni kritikon marrëveshjen për ndarjen e posteve kryesore në BE

Giorgia Meloni

Giorgia Meloni

Foto: Associated Press

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka kritikuar të mërkurën planet për të ndarë postet kryesore në institucionet e Bashkimit Evropian, duke thënë se po injorohen sukseset e partive të krahut të djathtë në zgjedhjet evropiane të këtij muaji.

Burime kanë thënë të martën për Reuters se tri grupet kryesore centriste evropiane, ku nuk përfshihen konservatorët e Melonit, janë pajtuar për ndarjen e posteve kryesore, duke ia siguruar Ursula von der Leyenit mandatin e dytë në krye të Komisionit ekzekutiv të BE-së.

Marrëveshja do të dorëzohet për miratim në një samit të liderëve të BE-së, i cili do të fillojë të enjten. 

Nëse konfirmohet, do të përfaqësonte vazhdimësi nga e kaluara, me fraksionet pro-BE që mbajnë pushtetin, pavarësisht nga një rritje e mbështetjes për partitë e së djathtës ekstreme dhe euroskeptike në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

“Nuk më duket se po merret parasysh vullneti i qytetarëve evropianë të cilin e kanë shprehur në kutitë e votimit”, u ka thënë Meloni ligjvënësve, duke shtuar se partitë që kanë parë një rritje të mbështetjes politike në zgjedhjet e fundit, do të duhej të merreshin parasysh gjatë negociatave. 

Partia e krahut të djathtë e Melonit “Vëllezërit e Italisë” – forca udhëheqëse në Partinë Konservative dhe Reformiste Evropiane në Parlamentin Evropian ka fituar shumicën e votave në Itali. 

Marrëveshja për ndarjen e posteve kryesore do ta bënte po ashtu ish-kryeministrin portugez, Antonio Costa kryesuesin e takimeve të krerëve kombëtarë të BE-së dhe kryeministren estoneze, Kaja Kallas shefen e politikës së Jashtme të BE-së,

Diplomatët kanë thënë se von der Leyen mund të kërkojë mbështetjen e Melonit duke i ofruar Italisë një portofol të fuqishëm në Komision.

LEXO EDHE: