Botë

Media shtetërore e Kinës paralajmëron Trumpin për luftën tarifore

Donald Trump dhe Xi Jinping

Media shtetërore e Kinës e ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump se zotimi i tij për t’u vendosur tarifa shtesë mallrave kineze për shkak të fluksit të fentanilit, mund t’i tërheqë dy ekonomitë kryesore të botës në një luftë tarifore reciproke e shkatërruese, raporton Reuters.

Trumpi, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, ka thënë të hënën se do të vendosë “tarifë shtesë prej 10 për qind “ në importet nga Kina, derisa Pekini ta ulte trafikimin e përbërësve kimikë të përdorur për prodhimin e drogës vdekjeprurëse.

Të dy superfuqitë janë duke i shfaqur qëndrimet e tyre, para rikthimit të ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë. Mandati i parë i Trumpit ka rezultuar në luftë tregtare, që i ka goditur zinxhirët e furnizimit global dhe ka prekur çdo ekonomi, teksa inflacioni dhe huamarrjet janë rritur.

Gazetat e partisë komuniste kineze “China Daily” dhe “Global Times” në editorialet e tyre vonë të martën kanë paralajmëruar banorët e ardhshëm të 1600 Pennsylvania Avenue, të mos e bënin Kinën “fajtoren kryesore” për krizën e fentanilit në SHBA ose ta “merrni si të mirëqenë vullnetin e mirë të Kinës në bashkëpunimin kundër drogës”.

“Arsyetimi që ka dhënë presidenti i zgjedhur, për ta justifikuar kërcënimin me tarifa shtesë në importet e Kinës është i paarsyeshëm”, ka shkruar “China Daily”. “Nuk ka fitues të luftërave të tarifave. Nëse SHBA-ja vazhdon t’i bëjë politike problemet ekonomike dhe tregtare duke përdorur tarifa, kjo nuk do të lërë palë të pandikuar nga kjo”.

Ekonomistët kanë filluar t’i ulin shënjestrat e rritjes së ekonomisë 19 trilionë dollarëshe të Kinës për vitet 2025 dhe 2026, në pritje të tarifave të mëtejshme të premtuara nga Trumpi gjatë fushatës zgjedhore dhe po i paralajmërojnë amerikanët që të përgatiten për rritje të kostos së jetesës.

“Për tani gjëja e vetme që e dimë për siguri është se rreziqet në këtë zonë janë të mëdha”, ka thënë Louis Kuijs, kryeekonomist i Azisë në S&P Global Ratings, i cili të dielën ka ulur parashikimin e rritjes së ekonomisë Kinës për 2025 dhe 2026, në përkatësisht 4.1 për qind dhe 3.8 për qind. “Çfarë kemi supozuar është një rritje e përgjithshme e tarifave nga rreth 14 për qind në 25 për qind. Kështu, çfarë supozuam është pak më shumë se 10 për qind në të gjitha importet kineze”.

Trumpi po kërcënon Pekinin me tarifa më të larta sesa 7.5 – 25 për qindshi i vendosur për mallrat kineze gjatë mandatit të tij të parë.

“Kina veç se ka një model, meqë është marrë me politikën e kaluar të tarifave amerikane”, ka cituar Gao Lingyunin, analist i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale në Pekin, “Global Times”.

“Përdorimi i problemeve me narkotikë për t’i rritur tarifat mbi mallrat kineze është i paqëndrueshëm dhe jobindës”, ka shtuar Gao.

Presidenti kinez, Xi Jinping i ka thënë ish-kryeministrit të Singaporit, Lee Hsien Loong se ekonomia e Kinës do të vazhdonte të lulëzonte dhe të zhvillohej vazhdimisht, gjatë një takimi në Pekin të martën, pas komenteve të Trumpit, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Lee thuhet se i ka thënë Xisë se “askush nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë e popullit kinez, që kombi i tyre të jetë i suksesshëm dhe të qëndrojë ndër të parët në botë”, vërejtje për të cilën një artikull i veçantë i “Global Times” ka thënë se ishte “i menduar edhe për disa njerëz të komunitetit ndërkombëtar”.

Fitimet e firmave kineze kanë rënë për 10 për qind në tetor, sipas të dhënave të së mërkurës, duke shfaqur se si kompanitë po përpiqen të mbesin fitimprurëse në një ekonomi që është shumë më e ndjeshme ndaj goditjeve tregtare këtë herë.