Më shumë se një dekadë më parë, vdekja e 600 emigrantëve dhe refugjatëve pranë brigjeve italiane tronditi botën dhe nxiti agjencinë e migracionit të OKB-së që të fillonte regjistrimin e numrit të njerëzve që vdiqën ose u zhdukën derisa iknin nga konfliktet, persekutimi ose varfëria, në shtete te tjera.
Qeveritë anembanë botës janë zotuar vazhdimisht se do të shpëtojnë jetët e emigrantëve dhe do të luftojnë kontrabandistët duke shtrënguar kufijtë.
Që nga fillimi i regjistrimit në vitin 2014, më shumë se 63 mijë njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur, sipas Projektit të Emigrantëve të Zhdukur, me vitin 2023 si më vdekjeprurësin deri më tani. Sipas raportit, vdekjet janë me gjasë vetëm një pjesë e numrit aktual të jetëve të humbura në mbarë botën, për shkak të vështirësisë në marrjen dhe verifikimin e informacionit. Edhe kur regjistrohen vdekjet, më shumë se dy të tretat e viktimave mbeten të paidentifikuara. Kjo mund të jetë për shkak të mungesës së informacionit dhe burimeve, ose thjesht sepse identifikimi i emigrantëve të vdekur nuk konsiderohet prioritet.
Deti Mesdhe është varri më i madh i emigrantëve në botë me më shumë se 28 mijë vdekje të regjistruara në dekadën e fundit. Kur filloi Projekti për Emigrantët e Zhdukur në vitin 2014, qeveria italiane filloi “Mare Nostrum”, një mision i madh kërkim-shpëtimi që shpëtoi mijëra jetë. Por, solidariteti nuk zgjati dhe numri i misioneve evropiane të kërkim-shpëtimit u zvogëlua gradualisht, sepse kishin frikë se kjo se do të inkurajonte kontrabandistët që të nisnin edhe më shumë njerëz me varka më të lira dhe më vdekjeprurëse. Në atë moment ndërhynë OJQ-të. Ndihma e tyre nuk është mirëpritur gjithmonë.
Në Itali dhe Greqi, ata janë përballur me pengesa burokratike dhe ligjore. Pavarësisht shtimit të mureve kufitare dhe mbikëqyrjes në mbarë botën, kontrabandistët duket se gjejnë gjithmonë alternativa të tjera, duke i çuar emigrantët dhe refugjatët në rrugë më të gjata dhe më të rrezikshme.