Mijëra gra kanë dalë rrugëve të qyteteve turke të shtunën për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke protestuar për pabarazinë dhe dhunën ndaj grave.
Në pjesën aziatike të Stambollit, në Kadikoy janë parë qindra gra që kanë mbajtur fjalime, kanë vallëzuar e kënduar. Protesta u përcoll me numër të madh policësh, përfshirë të tillë me pajisje të veçanta mbrojtëse për protesta dhe kamionë me topa uji, raportoi AP.
Qeveria turke e ka shpallur vitin 2025 Vit i Familjes. Protestuesit kanë kundërshtuar idenë që roli i gruas të mbetet brenda martesës dhe amësisë, me pankartat që u shkruanin “Nuk do të sakrifikohemi për familjen”.
Kritikët e kanë akuzuar qeverinë se nuk po bën sa duhet për të trajtuar dhunën kundër grave.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan më 2021 e tërhoqi Turqinë nga traktati evropian i quajtur “Konventa e Stambollit” që mbron gratë nga dhuna në familje. Sipas platformës turke “Do t’i Ndalim Femicidet”, 394 gra janë vrarë nga burrat në vitin 2024.
Shumë gra pritet të mblidhen në mbrëmje në anën evropiane të Stambollit për një marsh, pavarësisht se është ndaluar. Vitet e fundit autoritetet kanë bllokuar përpjekjet e grave për të demonstruar në Sheshin Taksim, pika tradicionale e Stambollit për tubime.