Botë

“Më përdhuno mua, jo vajzat e mia” – Tmerri i luftës në Sudan

Sudan - perdhunime/ilustrim

Foto: BBC

Sudani është në moment kritik.

Pas 17 muajsh të luftës civile brutale që ka shkatërruar vendin, ushtria ka nisur një ofensivë të madhe në kryeqytet, Khartoum, duke shënjestruar zonat në dorën e rivalit të saj të ashpër, Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

RSF-ja ka marrë shumicën e Khartoumit që nga fillimi i konfliktit, ndërsa ushtria kontrollon qytetin Omdurman.

Por, ka ende vende ku njerëzit munden të kalojnë mes të dyja anëve.

Në një pikë të tillë, BBC-ja ka qëndruar dhe ka takuar një grup grash që kishin ecur për katër orë deri te një market në territorin e kontrolluar nga ushtria ku ushqimi është më i lirë.

Gratë kishte ardhur nga Dar es Salaam, një zonë e mbajtur nga RSF-ja.

Bashkëshortët e tyre nuk largohen më nga shtëpitë, thonë gratë, për shkak se luftëtarët e RSF-së i rrahin, ua marrin paratë ose i burgosin dhe kërkojnë para për lirimin e tyre.

“E durojmë këtë vështirësi sepse duam të ushqejmë fëmijët tanë. Jemi të uritura, kemi nevojë për ushqim”, ka thënë njëra.

Kur ato janë pyetur nga ekipi i BBC-së nëse janë më të sigurta se burrat, dhe mbi përdhunimin, zërat e tyre kanë rënë në heshtje.

Më pas, një prej tyre ka folur.

“Ku është bota. Pse nuk na ndihmoni”, ka thënë ajo duke qarë.

“Ka shumë gra këtu që janë dhunuar, por nuk flasin për këtë. Çfarë diference do të bënte sidoqoftë?”

“Disa vajza, RSF-ja i bën të shtrihen në rrugë natën. Nëse kthehen vonë nga marketi, RSF-ja i mban për pesë apo gjashtë ditë”, ka thënë ajo.

Teksa ajo fliste, nëna e saj ulur mbante kokën dhe qante. Gratë e tjera po ashtu kishin nisur vajin.

“Ti në botën tënde, nëse fëmija yt do të ishte jashtë, a do ta braktiksje? A nuk do ta kërkoje? Por, më trego, çfarë mund të bëjmë ne? Asgjë nuk është në dorën tonë, askujt nuk i bën për ne. Ku është bota? Pse nuk na ndihmoni!”

Dhuna seksuale është bërë e theksueshme në konfliktin e zgjatur, që ka nisur si një luftë për pushtet mes ushtrisë dhe RSF-së, por që atëherë ka tërhequr grupe lokale të armatosura dhe luftëtarë nga shtete fqinje.

Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka thënë se përdhunimi po përdoret si “armë lufte”.

Një mision i OKB-së së fundmi ka dokumentuar dhjetëra raste të përdhunimit nga pjesëtarë të ushtrisë, por ka gjetur shkallë të lartë të dhunës seksuale të kryer nga RSF-ja dhe grupet militante aleate të saj.

Një grua ka folur për tragjedinë e saj.

Miriami - (emër i ndryshuar) – ka ikur nga shtëpia e saj në Dar es Salaam për tu strehuar me vëllanë e saj.

Në fillim të luftës, ka treguar ajo, dy burra të armatosur kishin hyrë në shtëpi dhe kishin tentuar t’ia përdhunonin vajzat – njëra 17 vjeç e tjetra 10.

“U thash vajzave të qëndronin pas meje dhe i thash RSF-së: ‘Nëse doni të përdhunoni dikë, ajo duhet të jem unë’”, ka thënë ajo.

“Ata më goditën dhe më urdhëruan të zhvishesha. Para se t’i hiqja rrobat, u thash vajzave të mija të largoheshin. Ato morën fëmijët e tjerë dhe u larguan. Më pas, një prej burrave më dhunoi”.

Fatima – (emër i ndryshuar) – kishte shkuar në Omdurman për të lindur binjakët. Një prej fqinjëve i kishte thënë se një 15-vjeçare ishte po ashtu shtatzënë pasi ajo dhe motra e saj 17 vjeçe ishin përdhunuar nga katër ushtarë të RSF-së.

Njerëzit ishin zgjuar nga britmat dhe dolën për të parë çfarë po ndodhte, ka treguar Fatima, por burrat e armatosur u kishin thënë se do të qëlloheshin nëse nuk ktheheshin prapa.

Mëngjesin tjetër i gjetën dy vajzat me shenja abuzimi në trupa dhe vëllanë e tyre të mbyllur në një dhomë.

Gratë po fillojnë të mbledhin gjërat e të kthehen nëpër shtëpi në zonat e kontrolluara nga RSF-ja – ato janë shumë të varfra, thonë ato, për të filluar një jetë të re si Miriami që ka filluar duke ikur nga Dar es Salaami.

Për aq gjatë sa kjo luftë vazhdon, ato nuk kanë tjetër mundësi pos të rikthehen në tmerrin e saj.