Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protestën e mbajtur në Londër, gjatë së cilës është bërë thirrje për ndaljen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Protesta është mbajtur në ditën kur Izraeli ka zgjeruar operacionin tokësor në Gaza, duke ndalur komunikimet dhe krijuar terr informativ në Rripin e Gazës teksa deri të shtunën është raportuar për më shumë se 7 mijë e 300 palestinezë të vrarë nga bombardimet izraelite.
Protestuesit kanë mbajtur flamujt palestinezë në Londër. Protesta në Angli është në mesin e dhjetëra të tjerave që janë mbajtur kryesisht nëpër shtetet arabe. Protesta në qendër të Londrës ishte paqësore teksa atë e kanë mbikëqyrur forca të shumta të policisë.
Mijëra njerëz janë mbledhur në Stamboll të shtunën në tubimin e madh për Palestinën, në aeroportin Ataturk. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i bëri thirrje kombit të marrë pjesë në tubim për t'i “treguar botës vëllazërinë midis turqve dhe palestinezëve”. Disa prej të pranishmëve mbanin në duar pankarta: “Ne jemi të gjithë palestinezë”, “T’i japim fund gjenocidit, le të jetojnë fëmijët” dhe “Bëhu zëri i fëmijëve palestinezë”. Në të gjithë terrenin janë vendosur ekrane LED, në mënyrë që të pranishmit të mund të ndjekin takimin, si dhe masa të rrepta sigurie po zbatohen në zonën e takimit. Në takim, përveç presidentit turk, morën pjesë edhe shumë zyrtarë të tjerë turq.