I njohur si “Mbreti i kriptovalutave”, Do Kwon, do të ekstradohet nga Mali i Zi në vendlindjen e tij, Kore të Jugut, pas disa muajsh procedurash, që nga arrestimi i themeluesit të “Terraform Labs” vitin e shkuar.
Gjykata e Lartë ka vendosur që ta rrëzojë vendimin paraprak i cili urdhëronte ekstradimin e Kwonit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
32-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht lidhur me zhdukjen 40 miliardë dollarëshe të valutës “Terrafarm Labs”, që pati shkundur të gjitha investimet në botë. Edhe Koreja e Jugut edhe SHBA-ja patën kërkuar ekstradimin e Kwonit nga Mali i Zi.
Muajin e shkuar, Gjykata e Lartë pati vendosur ta ekstradojë Kwonin drejt SHBA-së. Por Gjykata e Apelit e pati anuluar duke rikthyer rastin në rigjykim. Në vendimin e Apelit citoheshin çështjet procedurale se kush kishte dorëzuar e para kërkesën për ekstradim, SHBA-ja ose Koreja e Jugut. Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë mund të apelohet sërish, ka thënë zëdhënësja Marija Rakoviq. Mbetet e paqartë se kur do të merret vendimi final.
Kwoni po përballet me dënimin prej katër muajsh burgim në Mal të Zi për përdorim të pasaportës së rreme.
Në SHBA, ai kërkohet për mashtrim nga Prokuroria Federale.
Kwoni dhe një tjetër person nga Koreja qenë arrestuar në aeroportin e Podgoricës më 23 mars, gjatë rrugës për Dubai, duke përdorur pasaportë false të Kosta-Rikës. Kwoni dhe pesë të tjerë të lidhur me “Terraformin” kërkoheshin nën akuzat për krime financiare dhe mashtrim lidhur me valutën digjitale në maj të 2022-s.
“TerraUSD” ishte përdorur si valutë “stabile” në vend të dollarit brenda platformës së vet, për të parandaluar luhatjet drastike në çmime. Gjithsesi, rreth 40 miliardë dollarë në vlerë të tregut ishin zhdukur nga mbajtësit e “TerraUSD-së” papritmas./AP