Mbretëria e Bashkuar do t’i japë Ukrainës 2.26 miliardë funte, si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për t’i përdorur fitimet nga asetet e ngrira ruse, për ta ndihmuar vendin të rezistojë dhe të rindërtohet, raporton AP.
Paratë janë kontributi i Britanisë në pakon e kredisë prej 50 miliardë dollarësh, sipas pajtimit nga vendet e pasura e të industrializuara të G7-s, me paratë që vijnë nga interesi i aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse, kryesisht në Evropë, që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.
Megjithatë, realizimi është bllokuar, meqë aleatët nuk kanë rënë dakord se si ta koordinojnë kredinë.
Është e paqartë se sa shpejt do të arrijnë paratë e Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë.
Qeveria britanike ka thënë se do “ta prezantojë legjislacionin e brendshëm gjatë javëve të ardhshme për ta mundësuar transferimin e fondeve të reja në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey ka thënë se “ky financim urgjent do ta mbështesë drejtpërdrejt mbrojtjen e Ukrainës, duke i përdorur të ardhurat nga asetet që kishin ndihmuar në nxitjen e agresionit të Putinit”.