Amino Abdi, 23 vjeçe, ka abuzuar me drogën në pesë vjetët e fundit. Edhe pse varësia nga droga te femrat është një temë tabu në Somali, ajo ka vendosur të flasë hapur për të për BBC-në me shpresën se mund të ndihmojë në thyerjen e heshtjes dhe shkërmoqjen e paragjykimeve. Zonja Abdi thotë se përdorimi i drogës u rrit shumë pasi filloi të kishte probleme me burrin e saj. Ajo tani është e divorcuar dhe jeton me vajzën e saj të vogël. "Ish-i im është arsyeja pse u bëra e varur nga drogat e forta. Varësia ime u bë aq e keqe sa humba mendjen. Fillova të flija në makina dhe në rrugë"
(BBC) – Ishte gjetja e trupit të një gruaje 22-vjeçare në rrugët e kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu, vitin e kaluar që nxori në pah problemin e varësisë së femrave nga droga në qytet. Punonjësit shëndetësorë thanë se ajo vdiq nga mbidoza e opioideve.
Miqtë e influencueses së mediave sociale thanë se ajo kishte injektuar drogë për një kohë të gjatë. Ata thanë se ishte e droguar kur xhiroi disa nga videot e saj të njohura në TikTok.
Policia ka regjistruar një rritje të abuzimit me substancat narkotike në Mogadishu dhe gjetkë në Somali, duke përfshirë edhe gratë. Forcat e rendit thonë se njerëzit po u kthehen llojeve të reja të drogës.
Përderisa ata përtypnin narkotikun khat – që nuk është i paligjshëm - pinin alkool ose tymosin hashash, gjithnjë e më shumë njerëz po abuzojnë me opioidet, të cilat i injektojnë direkt në venat e tyre. Këto përfshijnë morfinë, tramadol, pethidinë dhe kodeinë.
Në fillim të dhjetorit policia sekuestroi një ngarkesë të madhe drogash me recetë, kryesisht opioidë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Mogadishut. Ata arrestuan importuesit.
"Pilulat dhe drogat injektuese janë veçanërisht të njohura për gratë dhe vajzat e reja", tha një mjek në Mogadishu, i cili kërkoi të mos përmendej për shkak të ndjeshmërisë së temës.
"Shumë nga këto substanca të krijojnë varësi dhe ato janë lehtësisht në dispozicion për t'u blerë pa recetë në farmacitë në të gjithë qytetin".
Shumë nga substancat që abuzohen mund të blihen pa recetë në të gjitha barnatoret në Mogadishu
"Fillova të flija në makina"
Një tjetër drogë popullore e përdorur nga gratë e reja është një formë e duhanit përtypës e njohur si "tabbuu", e cila mund të shkaktojë kancer të gojës dhe fytit.
Amino Abdi, 23 vjeçe, ka abuzuar me drogën në pesë vjetët e fundit. Edhe pse varësia nga droga te femrat është një temë tabu në Somali, ajo ka vendosur të flasë hapur për të për BBC-në me shpresën se mund të ndihmojë në thyerjen e heshtjes dhe shkërmoqjen e paragjykimeve.
"Unë fillova të përtypja tabbuu me vajzat me të cilat jetoja", thotë ajo.
"Ato kishin një ndikim të keq mbi mua. U bëra e varur nga duhani dhe më pas kalova në droga më të forta, veçanërisht ato që mund t'i injektoja në mënyrë intravenoze, kryesisht tramadol dhe pethidinë".
Zonja Abdi thotë se përdorimi i drogës u rrit shumë pasi filloi të kishte probleme me burrin e saj. Ajo tani është e divorcuar dhe jeton me vajzën e saj të vogël.
"Ish-i im është arsyeja pse u bëra e varur nga drogat e forta. Varësia ime u bë aq e keqe sa humba mendjen. Fillova të flija në makina dhe në rrugë".
Zonja Abdi po përpiqet të heqë dorë nga droga, por thotë se është shumë e vështirë për ta bërë këtë, sepse nuk ka qendra të duhura rehabilitimi në Somali për të menaxhuar tërheqjen e saj.
Ajo thotë se është e pamundur të ndalosh të gjitha drogat në të njëjtën kohë. Ajo ka arritur të reduktojë zakonin e saj për të injektuar opioide, por ende përtyp duhan dhe pi shisha.
Prindërit, veçanërisht nënat, janë dëshpërimisht të shqetësuara për problemin në rritje të drogës mes vajzave të tyre, disa prej të cilave janë ende në shkollë.
Khadijo Adan vuri re se vajza e saj 14-vjeçare po sillej në një mënyrë të pazakontë.
“Ajo flinte në momente të çuditshme dhe sillej jashtë karakterit”, thotë ajo.
"Një ditë gjeta pilula tramadol dhe duhan përtypës në çantën e saj. U përballa me të dhe ajo më tha se kishte filluar të merrte drogë për shkak të presionit të bashkëmoshatarëve".
Zonja Adan dërgoi fëmijën e saj të jetonte në një qendër të drejtuar nga sheikët myslimanë. Ajo nuk po merr më drogë, sepse e ka të pamundur t'i qaset atje.
Shumë prindër i dërgojnë fëmijët e tyre “problematikë” në institucione të tilla, veçanërisht ata me sëmundje mendore, të përfshirë në krim apo drogë dhe ata që dyshohen se janë homoseksualë.
Në disa qendra kanë ndodhur abuzime të rënda, duke përfshirë lidhjen me zinxhirë dhe rrahjen e të burgosurve.
Nuk ka qendra të duhura rehabilitimi në Somali për të ndihmuar njerëzit që janë të varur nga droga
Fëmijët e rrugës në rrezik
Ndërsa lufton për të përballuar thatësirën më të keqe në 40 vjet dhe më shumë se tri dekada konflikti, burimet e kufizuara të Somalisë nuk janë në gjendje të mbulojnë nevojat më themelore të njeriut, e lëre më të trajtojnë probleme si varësia ndaj drogës.
Disa organizata të vogla po përpiqen të mbushin boshllëkun duke përhapur ndërgjegjësimin për rreziqet e drogës.
Shoqëria e Gjysmëhënës së Gjelbër viziton shkollat dhe universitetet për të paralajmëruar studentët për lloje të ndryshme të varësisë, duke përfshirë abuzimin me substancat, lojërat e fatit, lojërat dhe mediat sociale.
Sirad Mohamed Nur drejton Fondacionin Mama Ugaaso, i cili fokusohet në abuzimin me drogën midis të rinjve, përfshirë vajzat.
“Ne bëjmë çmos për të dekurajuar të rinjtë nga marrja e drogave duke zhvilluar programe ndërgjegjësimi që nxjerrin në pah rreziqet shëndetësore që lidhen me abuzimin me substancat”.
"Ne gjithashtu lobojmë te qeveria që të ndërhyjë dhe të bëjë diçka. Por, kjo nuk mjafton. Duhen masa drastike për të parandaluar që kjo plagë të dalë jashtë kontrollit, veçanërisht tek fëmijët e rrugës".
Sipas Ministrisë së Gruas dhe Zhvillimit të të Drejtave të Njeriut, më shumë se 40% e fëmijëve të rrugës marrin drogë.
Rreth një e pesta e fëmijëve të rrugës në Somali janë vajza. Rreth 10% janë nën gjashtë vjeç, disa deri në tre vjeç.
Edhe pse khat dhe duhani për përtypje janë substancat më të zakonshme të abuzuara nga fëmijët e rrugës, një studim i kryer nga ministria zbuloi se gati 10% përdorin opioide dhe rreth 17% përdorin tableta gjumi.
Rritja e abuzimit me drogën tek të rinjtë e margjinalizuar ka çuar në një rritje të krimit, përfshirë dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Sipas organit hulumtues, Agjenda Publike Somaleze, ajo ka çuar gjithashtu në fenomenin e fundit të bandave të rrugës, të njohura si "Ciyal Weero", të cilat kanë sjellë terror në të gjithë Mogadishun.
Në disa raste drogat përdoren për të përfituar nga gratë, si në qytetin jugperëndimor të Baidoas, ku një grua thuhet se u përdhunua pasi iu dha një opioid.
Ekziston rreziku që rritja e marrjes intravenoze e drogës do të përmbysë prevalencën relativisht të ulët të HIV-it dhe AIDS-it në Somali.
"Rritja e kohëve të fundit e njerëzve që injektojnë drogë, veçanërisht opioidet, po e vë një grup krejt të ri somalezësh në rrezik për t'u prekur nga virusi", thotë dr. Sadia Abdisamad Abdulahi, menaxhere e programit HIV në Ministrinë e Shëndetësisë somaleze.
Gjethet e freskëta të khatit, të njohura në Somali, kanë një efekt të butë stimulues kur përtypen
Goditja e kimistëve
Profesionistët e shëndetësisë thonë se një nga mënyrat më efektive për të trajtuar problemin e opioideve është vënia në shënjestër e njerëzve që shesin barnat, shumica e të cilëve janë farmacistë.
Policia ka nisur goditjen ndaj tyre.
Një farmacist që nuk deshi të jepte emrin e tij thotë se ai dhe kolegët e tij nuk janë aspak të lumtur për ndërhyrjen e policisë.
"Kam drejtuar një farmaci në Mogadishu për shumë vjet. Dikur ishte kaq e lehtë t'u shisje droga të rinjve, duke përfshirë vajzat, pjesërisht, sepse askush nuk e dinte se çfarë efekti do të kishin drogat mbi ta", tha ai.
“Ne u shisnim të gjithëve dhe fitonim para të mira”.
"Por prindërit tani po punojnë me policinë, të cilët kanë filluar të na monitorojnë dhe ndonjëherë të na arrestojnë. Ne tani kemi frikë t'u shesim drogë të rinjve dhe po humbasim të ardhurat si rezultat".
Duke folur hapur për abuzimin me drogën te femrat, vajzat e reja të guximshme si Amino Abdi dhe nënat si Khadijo Adan kanë ndërmarrë hapin e parë të rëndësishëm për ta bërë publike këtë çështje.
Ndërhyrja e policisë dhe programet e ndërgjegjësimit për drogën gjithashtu do të ndihmojnë, por pa më shumë burime dhe vëmendje nuk ka gjasa që problemi të zgjidhet së shpejti.
Përktheu: Forca Jashari
Barnatoret kanë fituar para të majme nga shitja e ilaçeve kundër dhimbjeve dhe opioideve për të rinjtë