Një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters nën kushtin e anonimitetit, ka thënë se militantët tani kanë nën kontroll 65 për qind të Afganistanit, si rezultat i një sërë operacioneve ushtarake të ndërmarra në kohën e tërheqjes së forcave të huaja nga vendi
Militantët talebanë kanë shtrënguar lakun përreth Afganistanit, duke thelluar kontrollin mbi territorin e vendit derisa civilët po strehohen përbrenda shtëpive të tyre.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters nën kushtin e anonimitetit, ka thënë se militantët tani kanë nën kontroll 65 për qind të vendit, si rezultat i një sërë operacioneve ushtarake të ndërmarra në kohën e tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani.
Pul-e-Khumri, kryeqytet i krahinës veriore Baghlan ka rënë në duart e talebanëve të martën mbrëma, kanë thënë banorët që raportuan se forcat afgane të sigurisë janë tërhequr drejt shkretëtirës Kelagi, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake. Kësisoj, Pul-e-Khumri është bërë kryeqyteti i shtatë rajonal që është vënë në kontrollin e talebanëve brenda vetëm një jave, megjithëse Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e shohin si të pashmangshëm zaptimin e të gjithë vendit nga talebanët.
Presidenti Ashraf Ghani u ka bërë thirrje të fuqive rajonale që ta mbështesin Qeverinë e tij, përderisa një zyrtar i OKB-së, sipas raportimit të Reutersit, ka thënë se përparimet e shënuara në rrafshin e të drejtave të njeriut, 20 vjet pasi që islamikët u rrëzuan nga pushteti, rrezikojnë që të zhbëhen.
Në kryeqytetin Kabul, ndihmës të Ghanit kanë thënë se ai ka kërkuar ndihmën e grupeve rajonale militante, me të cilat ka pasur përplasje për vite të tëra, për mbrojtjen e Qeverisë së tij. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje civilëve që ta mbrojnë “materien demokratike” të Afganistanit.
Talebanët, në betejë për të mposhtur qeverinë e përkrahur nga SHBA-ja dhe për rizbatimin e ligjit strikt islamik në kohën e ngecjes së bisedimeve paqësore, kanë marrë nën kontroll të hënën edhe Aibakun, dhe atë me fare pak rezistencë.
“Forcat talebane kësisoj kanë nën kontroll tani 65-përqindëshin e territorit afgan, janë duke i kërcënuar edhe 11 kryeqytete krahinore dhe po përpiqen që t’ia shkurtojnë Kabulit mbështetjen tradicionale nga forcat kombëtare në veri”, ka thënë për Reutersin një zyrtar i lartë i BE-së.
Qeveria ka tërhequr forcat nga lagjet rurale vështirë të mbrojtshme, për t’u përqendruar në ruajtjen e qendrave të mëdha, përderisa zyrtarët kanë insistuar në presionin e Pakistanit fqinj për ta ndaluar përforcimin e talebanëve, si dhe të furnizimeve që kalojnë nëpërmjet kufirit. Nga ana e tij, Pakistani mohon se po i mbështet talebanët.
Në Washington, sekretarja e Shtëpisë së Bardhë për media, Jen Psaki, ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden ende mendon se vetëm negociatat mund të sjellin paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin në Afganistan.
“Tekefundit, qëndrimi ynë është se forcat kombëtare të sigurisë në Afganistan kanë pajisjet, numrat dhe trajtimin e duhur për t’u kundërpërgjigjur, gjë kjo që do ta fuqizojë pozitën e tyre në tryezën e negociatave”, ka thënë Psaki në konferencën e rregullt për gazetarë. “Presidenti Biden vazhdon të besojë se nuk është e pashmangshme që talebanët të zaptojnë Kabulin apo vendin”, ka raportuar Reuters.
Shtetet e Bashkuara do ta kompletojnë tërheqjen e forcave nga vendi deri në fund të këtij muaji, si pjesë e marrëveshjes me talebanët, që përfshin largimin e forcave të huaja në këmbim të zotimit të talebanëve për ta pamundësuar përdorimin e Afganistanit për terrorizëm ndërkombëtar. Nën këtë marrëveshje, talebanët kanë premtuar që të mos i sulmojnë forcat e huaja gjatë tërheqjes, porse nuk janë dakorduar për armëpushim me trupat qeveritare.