Botë

Mbi 800 të sëmurë nga norovirusi gjatë një festivali në Gjermani

Stuttgart

Shpërthimi i norovirusit në një festival në Gjermaninë jugperëndimore ka prekur më shumë se 800 njerëz. Njerëzit që morën pjesë në festivalin e pranverës në Stuttgart fundjavën e kaluar raportuan për të vjella, shkruan BBC të premten.

Nuk është e qartë se si u transmetua fillimisht virusi, por shkalla e infeksionit është rritur gjatë javës.

Zyrtarët në Stuttgart nuk besojnë se infeksioni është i lidhur me ushqimin apo pijet e shërbyera gjatë festivalit pasi mostrat e marra kanë rezultuar të gjitha negative.

Ata po supozojnë se virusi është transmetuar nga personi në person, ndoshta përmes ajrit, megjithëse nuk është e qartë nëse burimi origjinal ishte ndonjë turist apo punonjës.

Pjesëmarrësit u ankuan për të vjella, dhimbje stomaku e diarre, simptomat e norovirusit. Deri të premten pasdite, zyrtarët shëndetësorë të Stuttgartit thanë se numri i personave të infektuar kishte arritur në 815.

Festivali i pranverës, në brigjet e lumit Neckar, u hap të shtunën e kaluar dhe zgjat 23 ditë, deri në muajin e ardhshëm. Vitin e kaluar pati 1.4 milionë vizitorë.

Zyrtarët shëndetësorë të Stuttgartit kanë thënë se nuk ka asnjë provë për shkeljen e rregullave të higjienës. “Marque Göckelesmaier”, ku mbahet festivali, u dezinfektua plotësisht pas fundjavës së kaluar midis raportimeve për infeksion dhe që atëherë është rihapur.

Mendohet se virusi është shpërndarë në tendat ku bëhej shitja e ushqimeve.

*Norovirusi, i njohur gjithashtu si virusi Norwalk dhe nganjëherë i referuar si sëmundja e të vjellave të dimrit, është shkaku më i zakonshëm i gastroenteritit. Infeksioni karakterizohet nga diarreja, të vjella dhe dhimbje stomaku. Mund të shfaqen gjithashtu ethe ose dhimbje koke.