Botë

Mbi 67 milionë njerëz e ndoqën debatin Harris – Trump, larg rekordit

Donald Trump & Kamala Harris

Donald Trump & Kamala Harris

Rreth 67.1 milionë njerëz ndoqën debatin presidencial midis Kamala Harrisit dhe Donald Trumpit, rritje prej 31 për qind nga debati i qershorit midis Trumpit dhe Joe Bidenit që përfundimisht çoi në tërheqjen e presidentit nga gara e vitit 2024.

Debati u drejtua nga ABC News, por u shfaq në 17 rrjete të ndryshme, ka thënë kompania Nielsen. Debati Trump-Biden në qershor u pa nga 51.3 milionë njerëz.

Debati i së martës ishte larg rekordit sa i përket shikueshmërisë. Në vitin 2016 debatin mes Trumpit dhe Hillary Clintonit e panë 84 milionë njerëz. Debati i parë midis Bidenit dhe Trumpit në vitin 2020 arriti në 73.1 milionë njerëz.

Pati rritje të dukshme të shikuesve të rinj dhe të moshës së mesme, me 53 për qind më shumë të rritur të moshës 18-49 vjeç që ndezën televizorin ta shikonin Harrisin të debatonte me Trumpin sesa panë Bidenin ta bënte të njëjtën, sipas të dhënave të Nielsen.

Nga shikuesit në rrjetet kabllore, numri më i madh i shikuesve ishte në Fox News, me 9.1 milionë njerëz që shikuan kanalin që ka mbulim pozitiv për Trumpin.

Harrisi u vlerësua gjerësisht se kishte fituar debatin. Një sondazh i CNN me vëzhgues të debatit tregoi se kandidatja demokrate kishte performuar më mirë. Para debatit, vëzhguesit u ndanë 50-50 se kush do të fitonte.

Trumpi pretendoi publikisht fitoren, por disa nga ndihmësit privatisht pranuan se nuk kishte gjasa që kandidati republikan të bindte ndonjë votues të pavendosur.