Botë

Mbi 50 mijë të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës

Lufta ne Gaza

Foto: Associated Press

Më shumë se 50,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, ka njoftuar të dielën ministria e Shëndetësisë e territorit të Hamasit.

Gjithsej 113,274 të tjerë janë lënduar në të njëjtën periudhë, sipas ministrisë, raporton BBC.

Në të kaluarën, shifrat nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës (MSH) përdoreshin gjerësisht në kohë konflikti dhe shiheshin si të besueshme nga OKB-ja dhe institucionet ndërkombëtare. Por Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht të dhënat e publikuara nga autoritetet e Gazës.

Shifrat e publikuara nga ministria e shëndetësisë për numrin e të vrarëve nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Izraeli iu përgjigj sulmit të 7 tetorit me një ofensivë masive ushtarake, e cila ka shkaktuar shkatërrimin e shtëpive dhe infrastrukturës, përveç 50,000 të vdekurve.

Izraeli ka rikthyer sulmet të martën, 16 ditë pas përfundimit të afatit të fazës së parë të armëpushimit me Hamasin, që ka hyrë në fuqi më 19 janar.

Izraeli kishte paralajmëruar se do të rikthente luftës, nëse Hamasi nuk do të pajtohej me zgjatjen e fazës së parë në mënyrë që të vazhdonte lirimi i pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza që nga 7 tetori.

Besohet se Hamasi mban edhe edhe 59 pengje, gjysma prej të cilëve mund të jenë të vdekur.