Botë

Mbi 400,000 fëmijë në Liban janë zhvendosur, thotë OKB-ja

Fëmijët në Liban

Foto: Associated Press

Më shumë se 400 mijë fëmijë në Liban janë zhvendosur në tre javët e fundit, ka thënë një zyrtar i lartë i agjencisë së fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar humbjen e “një gjenerate” në një vend të vogël që po përballet me kriza të shumta dhe tash është në mes të një lufte, raporton agjencia “AP”.

Izraeli ka përshkallëzuar luftën kundër grupit militant Hezbollah me seli në Liban, duke filluar ofensivën tokësore. 

Luftimet në Liban kanë zhvendosur nga shtëpitë rreth 1.2 milionë njerëz, shumica prej tyre duke u larguar nga Bejruti dhe vendet tjera në veri gjatë tri javëve të fundit që nga përshkallëzimi. 

Ted Chaiban, zëvendësdrejtor ekzekutiv i UNICEF-it për veprime humanitare, ka vizituar shkollat që janë kthyer në strehimore për familjet e zhvendosura. 

“Ajo që më goditi është se kjo luftë është trejavëshe dhe kaq shumë fëmijë janë prekur”, tha Chaiban. “Ndërsa qëndrojmë këtu sot, 1.2 milionë fëmijë janë privuar nga arsimi. Shkollat e tyre publike janë bërë të paarritshme, janë dëmtuar nga lufta ose përdoren si strehimore. Gjëja e fundit që i duhet këtij vendi, përveç gjithçkaje që ka kaluar, është rreziku i një gjenerate të humbur”. 

Derisa disa shkolla private libaneze ende po funksionojnë, sistemi i shkollave publike është prekur keq nga lufta, së bashku me njerëzit më të cenueshëm si refugjatët palestinezë dhe sirianë.

“Ajo për të cilën jam i shqetësuar është se ne kemi qindra mijëra fëmijë libanezë, sirianë, palestinezë që janë në rrezik të humbin mësimin e tyre”, tha Chaiban. 

Më shumë se 2300 persona janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite, afro 75 për qind e tyre gjatë muajit të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. 

Në tre javët e fundit, janë vrarë mbi 100 fëmijë dhe mbi 800 janë lënduar.