Të paktën 33,175 palestinezë janë vrarë dhe rreth 76 mijë janë plagosur gjatë luftës në Gaza që nga 7 tetori, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Gazës në gjashtëmujorin e fillimit të luftës.
Në deklaratën e lëshuar nga kjo ministri të dielën thuhet se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 38 palestinezë dhe 71 te tjerë kanë mbetur të plagosur.
“Shumica e viktimave kanë qenë gra dhe fëmijë dhe mijëra trupa të tjerë mbeten të pa numëruar nën rrënoja”, thuhet në njoftim.
Siç ka raportuar “Times of Israel”, në gjashtë muaj luftë, 604 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 3193 të tjetë janë plagosur.
Më tej thuhet se ushtria izraelite (IDF) ka vrarë më shumë se 13,000 operativë të Hamasit dhe anëtarë të grupeve të tjera terroriste në Rripin e Gazës.
Përtej shifrave, rundi i ri i negociatave për armëpushim pritet të mbahet në ditën e 184-të të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Grupi militant palestinez ka njoftuar të shtunën se do të dërgojë delegacion në Kajro për një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara që fillon të dielën, raportoi Reuters.
Hamasi ka përsëritur kërkesat e tij, të cilat i ka bërë të ditura më 14 mars, përpara një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës, e cila u miratua më 25 mars.
Kërkesat përfshijnë armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, kthim të të zhvendosurve dhe marrëveshje "serioze" të shkëmbimit të të burgosurve palestinezë për pengjet izraelitë që mbahen në Gaza.
Sipas shifrave izraelite, rreth 250 izraelitë dhe të huaj janë marrë peng gjatë sulmeve të Hamasit. Rreth 129 pengje mbeten ende të pagjetur.
Drejtori i CIA-s Bill Burns pritet të marrë pjesë në bisedimet e së dielës, së bashku me ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, dhe një delegacion izraelit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është nën presion në rritje nga të afërmit e pengjeve që po mbahen rob në Gaza dhe nga liderët botërorë, përfshirë presidentin e SHBA-së, Joe Biden, aleatin e tij më të fuqishëm.
Bideni javën e kaluar bëri thirrje për "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza pas lajmit për sulmet ajrore izraelite që vranë shtatë punonjës të organizatës ndërkombëtare bamirëse të ushqimit “Ëorld Central Kitchen”.