Botë

Mbi 150,000 kanadezë kërkojnë t’i hiqet shtetësia Elon Muskut

Elon Musk

Më shumë se 150,000 njerëz nga Kanadaja kanë nënshkruar një peticion parlamentar që kërkon që vendi i tyre t'i heqë shtetësinë kanadeze, Elon Muskut, për shkak të aleancës së miliarderit të teknologjisë me Donald Trumpin, i cili e ka nisur presidencën e tij të dytë duke kërcënuar vazhdimisht se do të pushtojë fqinjin e saj të pavarur në veri dhe ta kthejë atë në shtetin e 51-të.

Peticioni është sponsorizuar nga anëtari parlamentar i Demokratëve të Ri dhe është pranuar nga kritiku i Musk, Charlie Angus.

I lindur në Afrikën e Jugut dhe drejtues i kompanive amerikane, duke përfshirë prodhuesin e automjeteve elektrike "Tesla", kompaninë e hapësirës ajrore "SpaceX" dhe platformën e mediave sociale Twitter/X, Musk ka nënshtetësi kanadeze përmes nënës së tij, e cila është nga kryeqyteti i Saskatchewan, Regina.

Ai ka luftuar për të ulur madhësinë e qeverisë federale të SHBA-së me urdhër të presidentit amerikan, i cili vazhdimisht ka sfiduar sovranitetin e Kanadasë që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë presidencial më 20 janar, raporton The Guardian.

Peticioni i paraqitur më 20 shkurt, akuzon Muskun se është "angazhuar në aktivitete që janë kundër interesit kombëtar të Kanadasë" duke vepruar si këshilltar i Trumpit. 

Trumpi ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të larta ndaj produkteve kanadeze dhe ka folur hapur për aneksimin e vendit nga SHBA-ja.

Peticioni pohon se përafrimi i Muskut me Trumpin e bën atë "një anëtar të një qeverie të huaj që po përpiqet të fshijë sovranitetin kanadez". 

Përmes tij i kërkohet kryeministrit kanadez, Justin Trudeau t'i heqë pasaportën kanadeze Muskut dhe po ashtu t'ia heqë shtetësinë me efekt të menjëhershëm.

Trumpi shpesh e ka tallur Trudeaun duke e quajtur “guvernator”, titullin që u jepet shefave ekzekutivë të shteteve amerikane.