Më shumë se 1,000 njerëz vdiqën gjatë pelegrinazhit të haxhit të këtij viti në Arabinë Saudite pasi besimtarët u përballën me temperatura ekstreme të larta në vendet e shenjta islame në mbretërinë e shkretëtirës, kanë bërë të ditur zyrtarët të dielën.
Më shumë se gjysma e viktimave ishin njerëz nga Egjipti, sipas dy zyrtarëve në Kajro. Egjipti hoqi licencat e 16 agjencive të udhëtimit që ndihmuan pelegrinët e paautorizuar të udhëtonin në Arabinë Saudite, kanë bërë të ditur autoritetet, raporton AP.
Arabia Saudite nuk i ka komentuar vdekjet gjatë pelegrinazhit, i cili kërkohet nga çdo mysliman i aftë një herë në jetë.
Qeveria egjiptiane njoftoi vdekjen e 31 pelegrinëve të autorizuar për shkak të sëmundjeve kronike gjatë haxhit të këtij viti.
Megjithatë, një zyrtar i kabinetit ka thënë se të paktën 630 egjiptianë të tjerë vdiqën gjatë pelegrinazhit, me shumicën e raportuar në Kompleksin e Urgjencës në lagjen Al-Muaisem të Mekës.
Duke konfirmuar të dhënat, një diplomat egjiptian ka thënë se shumica e të vdekurve janë varrosur në Arabinë Saudite.
Autoritetet saudite dëbuan dhjetëra e mijëra pelegrinë të paautorizuar, por shumë të tjerë, kryesisht egjiptianë, arritën të hynin në vendet e shenjta brenda dhe përreth Mekës, disa në këmbë. Ndryshe nga pelegrinët e autorizuar, ata nuk kishin hotele për të shpëtuar nga vapa përvëluese.
Në deklaratën e saj, qeveria egjiptiane ka thënë se 16 agjencitë e udhëtimit nuk arritën të ofrojnë shërbime adekuate për pelegrinët. Sipas saj, këto agjenci lehtësuan në mënyrë të paligjshme udhëtimin e pelegrinëve në Arabinë Saudite duke përdorur viza që nuk i lejojnë të udhëtojnë në Mekë.
Qeveria ka bërë të ditur gjithashtu se zyrtarët e kompanive janë referuar te prokurori publik për hetime.
Vdekjet përfshinin gjithashtu 165 pelegrinë nga Indonezia, 98 nga India dhe dhjetëra të tjerë nga Jordania, Tunizia, Maroku, Algjeria dhe Malajzia, sipas një raporti të Associated Press. Dy pelegrinë amerikanë u raportuan gjithashtu të vdekur.
Vdekjet nuk janë të rralla gjatë haxhit, por shifra e këtij viti janë jashtëzakonisht të larta.
Një rrëmujë e vitit 2015 në Mina gjatë Haxhit la të vdekur mbi 2,400 pelegrinë, incidenti më vdekjeprurës që ka ndodhur ndonjëherë në pelegrinazh, sipas një llogaritjeje të AP. Arabia Saudite nuk e ka pranuar asnjëherë numrin e plotë të rrëmujës. Një shembje vinçi në Xhaminë e Madhe të Mekës në fillim të të njëjtit viti la të vdekur 111 persona.
Incidenti i dytë më vdekjeprurës në haxh ishte një rrëmujë e vitit 1990 që la të vdekur 1,426 njerëz.
Gjatë periudhës së haxhit të këtij viti, temperaturat e larta ditore varionin midis 46 gradë celsius dhe 49 gradë Celsius në Mekë dhe vendet e shenjta brenda dhe përreth qytetit, sipas Qendrës Kombëtare Saudite për Meteorologjinë. Disa njerëzve u ra të fikët gjatë përpjekjes për të kryer gjuajtjen simbolike me gurë të djallit
Haxhi, një nga pesë shtyllat e Islamit, është një nga tubimet më të mëdha fetare në botë. Më shumë se 1.83 milionë myslimanë e kryen haxhillëkun në vitin 2024, duke përfshirë më shumë se 1.6 milionë nga 22 vende, dhe rreth 222,000 qytetarë dhe banorë sauditë, sipas autoriteteve saudite të haxhillëkut.
Arabia Saudite ka shpenzuar miliarda dollarë për kontrollin e turmës dhe masat e sigurisë për ata që marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor pesë-ditor, por numri i madh i pjesëmarrësve e bën të vështirë sigurimin e tyre.
Ndryshimet klimatike mund ta bëjnë rrezikun edhe më të madh. Një studim i vitit 2019 nga ekspertë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts zbuloi se edhe nëse bota arrin të zbusë efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike, haxhillëku do të mbahet në temperatura që tejkalojnë një "prag rreziku ekstrem" nga viti 2047 në 2052 dhe nga 2079 në 2086.
Islami ndjek një kalendar hënor, kështu që haxhillëku vjen rreth 11 ditë më herët çdo vit. Deri në vitin 2029, Haxhi do të ndodhë në prill, dhe për disa vite më pas do të bjerë në dimër, kur temperaturat janë më të buta.