Një anëtare e ekipit negociator për paqe në Afganistan është plagosur gjatë një përpjekje për tentim vrasje ndaj saj.
Fawzia Koofi, e cila është edhe anëtare e parlamentit, u sulmua të premten pasdite afër kryeqytetit Kabul, gjersa po kthehej nga një vizitë nga provinca veriore Parvan.
Koofi është pjesë e ekipit 21 anëtarësh e cila përfaqëson qeverinë afgane në bisedat paqësore me Talibanin dhe njëra nga pak femra ndërmjetësuese, pas arritjes së një marrëveshjeje të SHBA-së më militantët në shkurt të këtij viti.
Fawzia Koofi me motrën e saj Maryam Koofi u ndalën në një treg kur u sulmuan nga disa njerëz me armë, tha Tariq Arian, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Edhe anëtarët e Talibanit, edhe ata të Shtetit Islamik vazhdojnë të sulmojnë anëtarët e qeverisë, por Zabihullah Maujhid, zëdhënës për Talibanin, mohoi se ky grup ishte i përfshirë në këtë sulm.
Marrëveshja e bërë nga SHBA-ja ka për qëllim rekrutimin e Talibanit për të luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik në Afganistan. Talibani dhe Shteti Islamik janë armiq mes vete.
Kjo marrëveshje paqësore gjithashtu ka hapur rrugën për tërheqjen e forcave të NATO-s dhe SHBA-së nga Afganistani, dhe për nisjen e bisedave direkte në mes Talibanit dhe qeverisë së Afganistanit.
Qeveria afgane tha të premten se kishte liruar 80 nga 400 të burgosurit e fundit Talibanë para negociatave të drejtpërdrejta në mes të dy palëve.