Departamenti i Parandalimit të Mashtrimit të Konsullatës së SHBA-së në Monterrey, Meksikë, ku përpunohet numri më i madh i vizave për punë të përkohshme bujqësore, tha se nga viti 2019 e deri më sot numri i mesazheve në linjën e tyre telefonike që raportojnë mashtrime janë rritur nga 12% deri në 15%. Disa mashtrues paraqiten si kompani të autorizuara për të punësuar punëtorë të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara.
Emigrantët nga Amerika Latine që bëjnë udhëtimin e tyre shpesh të mundimshëm drejt Shteteve të Bashkuara, shpesh bien viktimë e mashtrimeve që mund të arrijnë në mijëra dollarë të paguara për bizneset mashtruese që përhapin dezinformata që pikësynim i kanë të pambrojturit.
Mashtruesit variojnë nga trafikantët e qenieve njerëzore – shpesh të referuar si kojotë – te ndikuesit e mediave sociale, dhe shumë prej tyre pozojnë rrejshëm si rekrutues pune, këshilltarë ligjorë ose trajnerë emigracioni.
Shumica e mashtruesve përfitojnë nga kthesat e shumta në politikën e emigracionit të SHBA-së, duke mashtruar emigrantët që të paguajnë për këshilla të rreme ligjore, viza pune, azil politik ose mënyra alternative për të kaluar kufirin Meksikë-SHBA.

Rreth një e katërta e emigrantëve të anketuar në fillim të këtij muaji thanë se merrnin mesazhe që ofronin shërbime imigrimi dhe punë, kryesisht përmes Facebookut dhe WhatsAppit. Dy të tretat e 210 të anketuarve kanë treguar se ranë viktimë e një lloj mashtrimi ose dezinformimi. Një emigrant ka thënë se shpenzoi 1500 dollarë për një formular që doli të ishte fals.
Në Meksikë, 5.684 ankesa për krime kundër emigrantëve u raportuan nga viti 2016 deri në nëntor 2022, sipas Ministrisë së Brendshme të Meksikës. Nga këto, 1.849 janë klasifikuar si trafik i paligjshëm, 2.655 si vjedhje dhe vetëm tetë si mashtrim.
Ndjekja e një ankese për mashtrim është e ndërlikuar. Emigrantët zakonisht kërkojnë ndihmën e një organizate të pavarur, si Qendra për të Drejtat e Emigrantëve, organizata jofitimprurëse “Al Otro Lado” ose një strehë emigrantësh si CafeMin. Emigrantët shpesh vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kaluar kufirin dhe nëse ia dalin braktisin çështjen e tyre.
Mashtrimi në rrjetet sociale
Si rezultat, keqinformimi dhe mashtrimet vazhdojnë të lulëzojnë – dhe mbeten të pandëshkuara me mashtruesit që përdorin rrjetet sociale si Facebook, WhatsApp dhe Tiktok për të synuar emigrantët.
Emigrantët mund të humbasin diku nga 1 deri në 20 mijë dollarë për person në përgjithësi në mashtrime, sipas postimeve të mediave sociale të monitoruara gjatë majit dhe qershorit dhe dëshmive të mbledhura nga emigrantët në fillim të qershorit.
Mercedes Perez ka rënë në kontakt përmes rrjeteve sociale me Jaime Diaz Marquez, i cili u paraqit si punonjës i një organizate fetare amerikane dhe i premtoi se do të merrte azil politik në SHBA për të dhe 14 të afërmit e saj. Perez ka treguar se ai kërkoi 55 dollarë për çdo anëtar të familjes në këmbim të përpunimit të një lirimi me kusht, një leje e përkohshme që SHBA jep për arsye urgjente humanitare për të lejuar emigrantët të qëndrojnë në vend për të paktën një vit pa vizë.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, Diaz Marquez e siguroi familjen se do të ishin në gjendje të merrnin letrat e tyre dhe të kalonin kufirin ligjërisht më 9 dhjetor 2022. Më vonë ai fshiu videot dhe nuk i postoi më. Mercedes ka thënë se humbi 770 dollarë dhe nuk mori asgjë në këmbim.
Ajo raportoi mashtrimin e supozuar te Al Otro Lado dhe iu drejtua të paraqiste një ankesë tek autoritetet lokale. Në fund të fundit, ajo nuk pranoi ta bënte këtë nga frika e hakmarrjes.
Diaz Marquez nuk iu përgjigj përpjekjeve të shumta për të kërkuar koment përmes telefonit dhe WhatsAppit.
Al Otro Lado thotë se emigrantët e prekur nga mashtruesit rrallë raportojnë mashtrime nga frika se mos deportohen ose rrezikojnë hyrjen e tyre në SHBA.
Evelyn Reyes, vendase meksikane, ka theksuar se burri i saj pagoi rreth 2 mijë dollarë dhe ia dërgoi pasaportën e tij një personi që supozohet se quhej Alberto, të cilin ai e kontaktoi përmes Facebookut. Paratë duhej të shkonin për një fluturim vajtje-ardhje dhe një vizë për pasaportën, e cila supozohej t'i dorëzohej atij në Mexico City. Por ai humbi paratë dhe pasaportën e tij.
“Kur ai mbërriti, nuk kishte asgjë”, ka rrëfyer Reyes.
Jorge Gallo, zyrtar rajonal i shtypit për Organizatën Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin, ka njoftuar se shumë emigrantë “hyjnë në borxhe të mëdha për të qenë në gjendje të paguajnë për shërbimet e këtyre kojotëve dhe në shumë raste humbasin gjithçka”.
Kojotët trafikantë
Gallo thotë se kojotët ndonjëherë thjesht i braktisin emigrantët në mes të një kalimi kufitar, duke i ekspozuar ata në rrezik dhe madje duke rrezikuar jetën e tyre.
Pastaj ka influencues të mediave sociale që ofrojnë shërbime ligjore pa qenë avokatë. Shembull, Dario Andres, i cili reklamon shërbimet e tij në TikTok dhe Instagram, ku ka më shumë se 500 mijë ndjekës.
Në profilin e tij në Instagram, avokati dhe partneri i vetëquajtur Jose Rafael Roman Argote u ofron këshilla emigrantëve nga Florida. Por një kërkim në 50 shoqatat e avokatëve në të gjithë SHBA-në tregoi se asnjëra prej tyre nuk ishte e regjistruar.
Përpjekjet për të folur me Andresin dhe Argotes përmes mesazheve në WhatsApp, TikTok, Instagram dhe telefonatave nuk u përgjigjën.
Këta lloj personalitetesh në internet ndajnë informacione rreth procedurave të imigracionit si karrem për ndjekësit e tyre, për t’u shitur më vonë atyre këshilla që nuk janë gjithmonë ligjërisht të qëndrueshme ose madje janë dezinformata.
Politikat e SHBA-së kanë ndryshuar shpesh, duke krijuar konfuzion midis emigrantëve dhe mundësi për mashtruesit. Titulli 42, i cili përfundoi më 11 maj, refuzoi azilin me arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19, por u aplikua në mënyrë të pabarabartë. Dhe autoritetet amerikane krijuan një sistem të errët përjashtimesh që lejonte organizata të përzgjedhura të zgjidhnin se kush kualifikohej për përjashtime, por emrat e tyre nuk u bënë publike dhe kriteret e tyre të përzgjedhjes ishin shpesh mister.
Pas Titullit 42, mënyrat kryesore për të hyrë në vend janë me një aplikacion celular të quajtur CBP One, i cili mbështetet në një lotari prej 1,250 lojërash elektronike në ditë në vendkalimet tokësore me Meksikën, dhe lirimi me kusht për deri në 30,000 kubanë, haitianë, nikaraguanë dhe venezuelianë në muaj, të cilët aplikojnë online me një sponsor financiar dhe mbërrijnë në një aeroport.
Qendra e Meksikës për të Drejtat e Emigrantëve thotë se ka vënë re një rritje të mashtrimit të rekrutimit të emigrantëve në internet që nga viti 2016, veçanërisht përmes reklamave në Facebook. Ndërsa qendra nuk ofron shifra specifike, anketa digjitale e kryer mes emigrantëve tregoi se 13% e totalit të të anketuarve morën oferta false për punë.
Kushtet për vizë
Një punëdhënës amerikan që dëshiron të punësojë emigrantë sezonalë - në bujqësi, për shembull - duhet të ketë një certifikatë të përkohshme pune. Përpunimi i vizave u referohet agjencive private që kërkojnë punëtorë.
Jocelyn Reyes, drejtoresha e CDM-së për Promovimin, Edukimin dhe Zhvillimin e Lidershipit, thotë se procesi i rekrutimit të punëtorëve ka qenë i parregullt, informal, i dokumentuar dobët dhe i errët që nga krijimi i sistemit të përkohshëm të punës midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Reyes thotë se agjencitë e rekrutimit kanë qenë në gjendje të monopolizojnë procesin duke pasur qasje në informacione për mundësitë e punësimit në SHBA dhe duke rregulluar vizat H-2 që lejojnë punëtorët të punojnë përkohësisht në SHBA.
Rekrutuesit shpesh vendosin tarifa për emigrantët e interesuar për të hyrë në mundësitë e punësimit, diçka që është e paligjshme, sipas CDM-së.
Në të njëjtën kohë, Departamenti i Parandalimit të Mashtrimit të Konsullatës së SHBA-së në Monterrey, Meksikë, ku përpunohet numri më i madh i vizave për punë të përkohshme bujqësore, tha se nga viti 2019 e deri më sot numri i mesazheve në linjën e tyre telefonike që raportojnë mashtrime janë rritur nga 12% deri në 15%.
Disa mashtrues paraqiten si kompani të autorizuara për të punësuar punëtorë të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara. Ata mund të paguajnë për një kontroll të historisë kriminale, i cili nuk është i nevojshëm dhe që ata nuk e kryejnë kurrë, sipas qendrës për të drejtat e emigrantëve.
Samantha Hernandez, zëdhënëse e strehës CafeMin që pranon emigrantë nga Amerika Latine dhe Amerika Qendrore në Mexico City, thotë se keqinformimi në internet bën që shumë emigrantë të besojnë se kanë nevojë për dokumente të kalimit të sigurt për të kaluar nëpër kryeqytetin meksikan.
Laura Ortiz, me origjinë nga El Salvador, ka theksuar se ajo dhe të tjerët i paguanin 2500 dollarë një avokati të supozuar për të organizuar një kalim të sigurt. Në fakt, asaj i duhej vetëm të kontaktonte autoritetet meksikane të imigracionit.
“Ata na morën paratë”, është shprehur Ortiz, duke shtuar se më vonë mashtruesit “na bllokuan në WhatsApp”.
Ajo ka treguar se nuk e denoncoi mashtrimin nga frika se mos burgosej dhe deportohej.
Përktheu: Blerta Haxhiu