Bosnjë-Hercegovina nuk po arrin të kthehet në një shtet funksional, sikurse ishte menduar në Marrëveshjen e Daytonit, të nënshkruar më 1995. Ky përvjetor ka mbetur nën hije të madhe të frikës së ndarjes së vendit në vija etnike pas kërcënimeve e veprimeve serioze të liderit të serbëve, Milorad Dodik
Sarajevë, 21 nëntor - 26-vjetori i Marrëveshjes së Paqes, të arritur me ndërmjetësimin e vendosur amerikan në Dayton, e ka gjetur Bosnjën të përçarë politikisht e etnikisht. Analistët thonë se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me vendosmëri bashkërisht kundër përpjekjeve të anëtarit serb të Presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës.
Ai e ka bërë të qartë edhe të mërkurën, para delegacionit special amerikan, se nuk e ka ndërmend të heqë dorë prej nismave konkrete për thellimin e ndarjes së Republika Srpskas nga entiteti tjetër politik i kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjës.
“Mendoj se nëse vihen sanksionet e tjera – kjo do të radikalizonte gjendjen edhe më shumë. Situata do të bëhet e pakthyeshme sa i përket funksionalitetit të Bosnjë-Hercegovinës. Do të jetë e pamundshme që Bosnja të funksionojë”, ka deklaruar të mërkurën Dodiku. “Ndoshta në të kaluarën, këto sanksione kanë dhënë rezultat, por jo më. Më nuk mund t’i frikësojnë njerëzit. Nuk lodhemi më për to. Ne jemi zgjedhur për të punuar për interesa të popullit tonë, jo për interes të Shteteve të Bashkuara”.
Republika Srpska po kërcënon vazhdimisht me tërheqje nga institucionet e brishta qendrore, duke paralajmëruar edhe krijimin e Ushtrisë së saj. Kjo do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Daytonit.
Dodiku, i cili haptazi ka mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë, i ka bërë publike planet e tij pas vendimit të ish-përfaqësuesit të lartë, Valentin Inzko, në korrik për ndalimin e mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Dodiku e ka mbështetjen e heshtur të Serbisë së Aleksandër Vuçiqit. Në Beograd, gjatë javës së kaluar, policia ua ndaloi aktivistëve të të drejtave të njeriut që të protestojnë kundër muralit të Ratko Mladiqit, ish-liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, të dënuar me dënim të përjetshëm për krimet e luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Në një raport, dërguar në fillim të muajit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i lartë i Bosnjës, Christian Schmidt, i cili monitoron zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit, alarmoi për rrezikun e ndarjes së Bosnjës.
Ai shtoi se prospektet e ndarjes dhe konfliktit të mëtejshëm janë reale nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr hapa konkretë për ndaljen e mësymjes së Dodikut në kohën kur Perëndimi po përballet me kriza të tjera.
Analistët vlerësojnë se Perëndimi, që garanton paqen në Bosnjë, nuk po tregohet i vendosur në reagimin kundër përpjekjeve separatiste të Dodikut.